Çdo vit, në mbarë botën, vdesin qindra njerëz si pasojë e një bakteri specifik që quhet Listeria. Listeria është një lloj bakteri, emri i plotë i të cilit është Listeria monocytogenes dhe shkakton një infeksion që quhet listerioza. Ky infeksion shkaktohet pas konsumit të ushqimeve dhe pijeve të ndotura. Listeria nuk është aq i përhapur sa salmonella që është një tjetër virus vdekjeprurës, megjithatë nuk duhet neglizhuar sepse në 25% të rasteve të infeksioneve janë fatale.
Infeksioni në fjalë është më i rrezikshëm tek të rriturit pas një moshe të caktuar, ata me imunitet të dobët dhe veçanërisht gratë shtatzëna sepse mund të nxisë abort. Në rastin e grave shtatzëna, simptomat e infeksionit janë të njëjta me gripin por bakteri kalon placentën duke shkaktuar deformime të fetusit ose humbje të tij. Ky bakter gjendet kudo rreth nesh, në tokë, ujë dhe shumë produkte ushqimore si ato të mishit, qumështi i shtazëve apo nënprodukteve të tij. Në të shkuarën, ky bakter është përhapur nëpërmjet perimeve të ngrira dhe sallatave të paketuara.
Ky bakter lulëzon kryesisht në temperatura të ftohta ndërsa nxehtësia apo procesi i pasterizimit e eliminon atë plotësisht. Një aspekt i frikshëm i infeksionit me këtë bakter është se shfaqja e simptomave mund të kërkojë deri në 70 ditë. Këto simptoma janë: temperatura dhe ethet, dobësi fizike, të vjella, konfuzion dhe ngurtësim të qafës. Ato mund të zgjasin për disa javë. Lajmi i mirë? Infeksioni kurohet me antibiotikë por edhe me disa hapa parandalues.
Masat parandaluese që mund të merrni kundër listerisë.
Qendra Amerikane e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve rekomandon praktikën e higjenës së mirë, që do të thotë, shpëlarje e të gjithë frutave dhe perimave përpara përgatitjes ose konsumit, madje edhe nëse planifikoni t’i qëroni ato. Produkte si kastraveci apo pjepri duhen fërkuar me furçë dhe duhen tharë me letër kuzhine. Mishi i pagatuar duhet mbajtur larg ushqimeve të tjera, të gatuara ose jo dhe nëse një ushqim ka lëshuar lëngje në frigorifer duhet ta pastroni menjëherë./AgroWeb