Një biznesmen nga Merilend, SHBA, ka paguar të paktën 1,5 milionë dollarë në ryshfet për të futur dy djemtë e tij në Universitetin e Harvard, një ndër më të famshmit dhe më të shtrenjtët në botë.
Në pranga përfunduan Jie “Jack” Zhao, 61 vjeç, dhe Peter Brand, 67, ndaj të cilëve rëndojnë akuzat për korrupsion federal, tha zyra e prokurorit të Distriktit të Masaçusetsit.
Zhao, nga Potomak, Merilend, është CEO i kompanisë së telekomunikacionit iTalk Global Communications. Ndërsa Brand ka qenë nga viti 1999 deri vitin e kaluar trajner i skuadrës së skermës për meshkuj dhe femra. Ai u shkarkua nga detyra vitin e kaluar pas një artikulli në gazetën “Boston Globe” ku flitej për shitjen e një shtëpie të shtrenjtë.
Avokati i tij, Douglas Brooks, tha se Brand nuk kishte kryer asnjë vepër penale, pasi studentët për të cilët Brand akuzohet se ka ndërhyrë, ishin yje të skermës. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe avokati i Zhaos, Bill Weinreb, përmes një deklarate.
Trajnerët e sporteve nuk vendosin për pranimet në Harvard, por sipas FBI, Brand ka ndikuar te vendimmarrësit për të pranuar dy fëmijët e Zhaos në universitet, duke i quajtur femonene të sportit të skermës. Në këmbim të këtij rekomandimi, Brand ka marrë 1,5 milionë dollarë shpërblim, në forma të ndryshme.