Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se mësimi me prezencë fizike vazhdon pa pengesa, duke i respektuar protokollet shëndetësore.
Nga MASH thonë se më pak se një përqind e nxënësve dhe kuadrit në shkollat fillore dhe të mesme janë infektuar me COVID-19 dhe në pajtim me këto të dhëna, nga MSH thonë se protokollet janë efikase për uljen e rrezikut të virusit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Sipas raportit të cilin shkollat e dorëzojnë çdo ditë në ministri, nga numri i përgjithshëm i nxënësve në nivel të shtetit 259.235, përqindja e të infektuarve është vetëm 0.06%, ndërsa nga numri i përgjithshëm i mësuesve 27.955 dhe kuadrit tjetër, përqindja e të infektuarve është 0.58, që është shumë poshtë nën 1”.
“Në kuadër të mësimit me prezencë fizike, janë regjistruar gjithsej 40 nxënës pozitiv me COVID-19 dhe 52 të punësuar nga kuadri mësimor në shkollat e mesme dhe fillore. Në të gjitha këto raste është reaguar me kohë, sipas rekomandimeve të qendrave për shëndet publik, me çka parandalohet transmetimi i virusit”, thonë nga MASH.
Nga kjo ministri bëjnë apel tek nxënësit, mësuesit dhe prindërit që t’i respektojnë masat dhe protokollet për parandalimin e coronavirusit./Telegrafi/