Kontrollet bëhen për të parë nëse shkollat që kërkojnë mësim me prani fizike i plotësojnë kërkesat për të mundësuar këtë, njofton Portalb.mk.
Në të njëjtën kohë, shumë shkolla janë duke bërë dezinfektim të plotë, në përputhje me protokollet e miratuara nga Komisioni për sëmundje infektive.
“Procesverbalet e kontrolleve në terren janë në komisionin qeveritar i cili tani duhet të vendosë se cilave shkolla do t’u lejohet të mbajnë mësim në klasa. Drejtoritë e shkollave kishin mundësi vetë të kërkojnë leje më vete dhe më shumë se 200 shkolla e bënë këtë. Inspektorët i bënë kontrollet nëse secila shkollë ka dhomë për izolim në rast se paraqitet ndonjë punonjës apo nxënësi me simptoma, pastaj u kontrollua nëse ka dhe në çfarë gjendje janë objektet sanitare, nëse ka dezinfektues”, thotë Tome Spirovski, drejtor i Inspektoratit shtetëror të arsimit.
Ndërkohë, komunat janë duke i bërë përgatitjet e fundit para fillimit të vitit të ri shkollor. Në shkollat e komunës Karposh këto ditë duke u realizuar dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim gjithëpërfshirës në objektet parashkollore dhe shkollore. Kjo bëhet çdo gjashtë muaj të vitit, por këtë vit pati një dezinfektim të çrregullt në mars për shkak të situatës me pandeminë. Qëllimi është që të gjitha kopshtet dhe shkollat të sigurojnë kushte të shëndetshme dhe higjienike për qëndrim dhe punë.
Në 981 shkolla fillore dhe 132 të mesme, viti shkollor fillon për herë të parë më 1 tetor. Fillimi u shty sepse pritej që Parlamenti t’i miratojë rregullat dhe ndryshimet e reja që janë pjesë e ligjeve të reja mbi arsimin fillor dhe të mesëm, pa të cilat viti nuk kishte mundësi të fillojë.
Nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën do të shkojnë në shkollë, megjithëse kjo nuk është e detyrueshme, përkatësisht prindërit mund të zgjedhin nëse fëmijët e tyre do të vijojnë mësimin onlajn ose në klasë. Nxënësit e tjerë në klasat e larta do të ndjekin onlajn mësime, por ka ende një mundësi, në ato shkolla ku ka kushte hapësinore, mësimi të fillojë me prani fizike.
Kopshtet filluan punën më 9 shtator. Që nga ajo kohë, janë shfaqur disa raste të fëmijëve dhe personelit pozitiv në kovid.