Gjimnazi ShMQSh „Zef Lush Marku“- Shkup – shkolla që jetësoi dhe përmbushi vizionin e rilindasve shqiptar!

 

Të shkruash, flasësh dhe përshkruash mbi një tempull diturie, nuk do të mjaftonin me tonelata ngjyrë e letër, e aq më shumë kur fjala është për një tempull, siç është gjimnazi Ynë! I Yni, nga se, plotë 70 vite ishte i të gjithëve, me të gjithë dhe për të gjithë – 70 gjenerata.

Emra, data, ngjarje, arritje, mirënjohje, lëvdata, sfida, fitore, jehonë, krenari…të gjitha në një – 7 dekada. Të flasësh e shkruash, me ditë e netë të tëra, dhe prap të mos përshkruash të tërën… e pamundur të mos lëshosh apo gabosh di,sa kënaqësi, po aq nostalgji… pa dije dhe pa dashje të pushton një mallë dhe emocionenga më të ndryshmet, e aq më tepër kur je pjesë e saj.

Shkruan: Naser Miftari

Sot kremtojmë 70 vjetorin e themelimit dhe veprimtarisë arsimore të gjimnazit „Zef Lush Marku“-Shkup

Emri i tij është nder dhe respekt i idealeve liridashëse të heroit, shqiptar Zef Lush Marku, i lindur në vjeshtën e vitit 1885, në një familje të varfër zejtarësh nga Prizreni. Shkollën fillore dhe dy vitet e para të shkollës së mesme, kishte mbaruar në vendin e lindjes, kuptohet në gj. serbe.

Si shumë shqiptar të tjerë, edhe Zefi, për shkaqe ekonomike detyrohet të ndërpresë shkollimin dhe ti bëhet krah të atit duke ndihmuar ate në të gjitha punët.

Në kërkim të një jete më të mirë, i ati i Zefit, Gjergj Marku, lëshon Prizrenin dhe me familje shpërngulet në Shkup, asaj kohe qendër e shqiptarëve. Ende pa i shijuar mirë bukuritë shkupjane, Gjergji, sëmuret dhe vdesë. Humbja e babait e ngarkon edhe më shumë Zefin. Si djalë më i madh që ishte, mbi supe i bie barra  të kujdeset për mirëqenien e familjes.                                                                                                                           Në fillim punon si punëtor krahu tek punëdhënës të ndryshëm, e më pas punësohet në fabrikën e duhanit -„Monopolin e Shkupit“. Gjatë punës së tij në Monopol, bie në kontakt me njerëz të ndryshëm, nga do të frymëzohet me ndjenja liridashëse e patriotike.

Nga viti 1912, Zefi, punësohet në bankën serbo – franceze në Shkup, në fillim si korier, e më pas si nëpunës.

Nga vitin 1909, Zefi inkuadrohet në lëvizjet politike, me orientim social-demokrat, deri në likuidimin e tij.   

Aktiviteti i tij shpejtë do t’ju bie në „vesh dhe sy“, organeve të pushtetit serb dhe do të jetë në përcjellje të vazhdueshme nga ata.

Gjatë një udhëtimi, natën mes 2 dhe 3 dhjetor te vitit 1920, i përcjellur nga shërbimet në Gjakovë, bie në duar të organeve policore. I torturuar dhe keqëtrajtuar mizorisht, Zefi 35 vjeçar, në moshë të re, ndërron  jetë, duke u shndërruar  në  simbol  lirie dhe sakrifice të  kauzës  kombëtare.

Në shenjë nderi dhe krenarie, emri i tij u përcoll prej brezi në brez, duke emërtuar: rrugë, shoqëri kulturoro – artistike, institucione, ndër to edhe shkolla jonë.

Periudha e pasluftës vërtetë kishte vështirësuar gjendjen ekonomike, por krahas gjitha mangësive – arsimi triumfoi.

Pushteti i atëhershëm i R. P. të Maqedonisë, në kuadër të R.P.F.J, kishte hartuar plane dhe ndërmarr masa të shumta për organizimin e sistemit arsimor, të cilin mund ta ndajmë në disa faza:

-faza e „kurseve të mesuesisë“ (1945-1953)

-faza e seminareve të mesuesisë (1953-1961)

-faza e arsimit të lartë pedagogjik dhe superior (1971 deri në ditët e sotme).

„Zef Lush Marku“, si institucion arsimor, daton që nga faza e parë, ajo e „kurseve të mesuesisë“ (1945-1953), aso kohe me emrin Shkolla Normale Shqiptare “Liria”, e më vonë nga v.1960, do të riemërtohet në  Shkolla Normale Shqiptare “Zef Lush Marku”.

Fazat e lartpërmendura të shndërruara në kohë, që nga themelimi e deri më sot, janë 70 vite të plota.

Brez pas brezi, gjatë 70 ditëlindjeve të saja, gjimnazi “Zef Lush Marku”, u shndërrua në emblemë të arsimit shqip, për Shkup dhe gjitha trevat shqipfolëse të Jugosllavisë së atëhershme. Dituria e mbjellur ndër vite e dekada, sot është udhërrëfyesi ynë drejtë sukseseve edhe më të mëdha kombëtare -gjithëpërfshirëse: shoqërore, socio-ekonomike, politike, kulturore … 

Arsimtarët e parë të saj, si: Vlash Gjelaj, Petro Janura, Xhavit Kaba, Pjetër Kavaja, Josif Todi, Abedin Krasniqi, Nadire Krasniqi, Sadudin Gjura, Shazije Hoxha, Eshref Saraçini, e shumë të tjerë, përplot vullnet dhe dëshirë shumë shpejtë, „Zef Lush Marku-n“, e shndërrojnë në qendër arsimore dhe kulturore shqiptare, duke përgaditur kuadro arsimor për shkollat shqipe.

Me këtë emër dhe këto vepra, kishte jetuar çdo shqiptar arsimdashës, jo vetëm në Maqedoni, por shumë më gjerë, si nga jugu i Kosovës, Lugina, Mali Zi… Ajo që duhet mësuar, mos harruar duke e potencuar lartë e më lartë, interesi dhe dashuria për mësim dhe arsimim, ngase prej viti në vit, ishte rritur numri i nxënësve, e me te edhe numri i mësimdhënësve, jo vetëm  për nga sasia, por edhe nga cilësia, konform kushteve dhe rrethanave shoqërore, ekonomike dhe politike të kohës.

Përkundër stuhive të ndryshme të mirënjohura për ne, ky kuadër arsimor, me nxënës dhe prindër, po si një familje, jo vetëm që kishin mbijetuar, por me shumë sukses, arrin të sfidojnë ato, duke i  lënë pas shumë shkolla si motra, në të gjitha fushat, si arsimore, kulturore dhe ato sportive, duke bërë jehonë në shtetin mbi 20 milionësh – RSFJ e atëhershme.

Punën dhe sukseset e gjimnazit „Zef Lush Marku“, është vështirë të ndashë ndër vite e periudha, sepse gjatë gjithë veprimtarisë, kuadri arsimor me shumë vetëdije dhe përkushtim, pa asfarë kursimi, kishte shkrirë nga vetja mbarë potencialin e tij intelektual, kulturor dhe fizik. Ata kishin ngarkuar veten me detyrë, të cilën asnjëherë nuk kishin fshehur prej askujt… „të përcjellim amanetin“. Pra, suksesi i këtij tempulli ishte i gjallë, jetonte brenda mësimdhënësve të guximshëm dhe vizionar, nxënësve të ardhmëris dhe prindërit të etur arsimdashës, pra ishte sukses i rrjedhshëm, i vazhdueshëm po si lumenjtë që ushqejnë detërat, që atëherë e deri në ditët e sotme! Por, po që se dëshirojmë të masim amplitudat e të arriturave, me ato të zemrës, atëherë kjo mundëson diskutimin e këtillë, por kuptohet nga një këndvështrim tjetër, që sado që të ishe i përmbajtur, vetvetiu ngjall nostalgji – objekti i gjimnazit „Zef Lush Marku“, ndër vite!

Kjo, për shumë lexues është e pakuptimtë, por ja se realiteti ishte i tillë, „shkollë me emër – po, por objekt shkollor – jo“. Nxënësit ishin endur e me to edhe mësimdhënësit. Për nxënësit, ka qenë në pyetje një çantë personale e tyre, ndërsa karriget dhe bankat për to ishin të njëjta kudo që të shkonin, gjë e cila nuk ishte e njëjtë për mësimdhënësit dhe stafin menaxhues të shkollës, atyre u nevoiteshin shumëçka dhe po të gjitha i kishin bërë e bartur me vete, kahdo që ishin endur – qeraxhinjë.

Periudha më e ndritshme e gjimnazit „Zef Lush Marku“ është ajo, kur veprimtaria e saj zhvillohej në godinën e re, në lagjen e Karposhit. Godinë e ndërtuar me të gjitha standardet e kohës. Kuadri arsimor, me drejtorin prof. Avni Zllatku, i ndjekur nga paraardhësit e tij dhe e njejta е përcjellur dhe trashëguar tek pasardhësit, deri në ditët e sotme,  me dashuri të pamasë dhe modesti të skajshme për kontributin e dhënë, kishin dëshmuar po atë dashuri dhe vullnet, por gjithnjë duke pohuar “se kushtet e punës ishin dhe mbeten faktor kryesor në arritjen e suksesit”. Puna e tyre në kabinete dhe laboratore, punëtori dhe sallë sportive, kishte mundësuar që nxënësit dhe me mentorët – profesorët e gjimnazit „Zef Lush Marku“, të jenë  gjithnjë të parët në listat garuese të niveleve më të larta shtetërore.

Sot, kur gjimnazi „Zef Lush Marku“, feston ditëlindjen e 70-të, me plotë mburrje dhe krenari të kësaj shenjtërie, me plotë dashuri dhe entuziazëm, betohemi se do të „mbajmë fjalët e tyre dhe përcjеllim amanetin“, në kushte dhe rrethana solide, me numër të begatë nxënësish, të shkëlqyer, me staf arsimor dhe menaxhues, të përkushtuar në profesion dhe ideale, me shumë përkrahës dhe adhurues, në vend dhe diasporë, që të gjithë së bashku, i mbetemi besnik misionit dhe vizionit tonë, duke ndjekur dhe përcjellur tregun bashkëkohorë… edhe atë, jo si qeraxhinjë, por në „objekt të ri dhe me tapi“, tani të pajisur,  begatuar dhe zbukuruar, nga dita më ditë!

 „Zef Lush Marku“ djep i arsimit dhe kulturës… rezultat i punës së palodhshme të profesorëve – shenjtorëve, që nga themelimi e deri më sot, për të cilën të betuar në shembullin dhe rrugën e tyre, shqipërisht dhe shpirtërisht u jemi falënderues!

                    Urime – gëzuar 70 vjetori dhe shumë përvjetorë tjerë!

              Nder dhe respekt të gjithë atyre që flijuan për komb e atdhe!

             Mendja e një kombi është arsimi, kurse zemra e tij – morali !