“Sfidat në realizimin e mësimit online po tejkalohen me secilën masë të sjellur, ndërsa sfida ka edhe kur ai realizohet në kushte normale. Më e rëndësishmja është që të sigurohet komunikim i dyanshëm mes arsimtarit dhe nxënësit, ndërsa informacionet për këtë janë inkurajuese”.
Këtë e deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi në një intervistë për “TV Sllobodna”. Ai përkujtoi për masat e ndërmarra që të vazhdohet procesi edukativ-arsimor në shkolla pasi më 11 mars ishte ndërprerë mësimi klasik – së pari me “TV Klasën” në RTVM dhe aplikacionet dhe platformat e rekomanduara falas për mësim nga shtëpia, platforma nacionale kombëtare Eduino dhe masa më e re – zgjidhje e problemit për fëmijët nga familjet e rrezikuara sociale të cilëve me donacionin prej “Telekom”-it iu është siguruar internet falas që të kenë qasje në platformat për mësim.
“Ofrojmë mësim nga shtëpia, ku secili arsimtar është i obliguar që të mbajë komunikim dyorësh me nxënësin, dhe në fund të mund edhe ta vlerësojë. Ofrojmë edhe platformë nacionale për mësim në distancë – janë incizuar video leksione nga arsimtarët tanë aktivë. 33.000 fëmijëve të cilët kanë statusin e nxënësit, por të cilët vijnë nga familje të rrezikuara sociale vendosëm t’iu ndajmë kartela me internet 10 gigabajt secilin muaj, falas”, deklaroi Ademi.
Ai përsëriti edhe se për mësimin online ka bazë ligjore me dekretet e miratuara nga Qeveria të cilat kanë fuqinë e ligjit dhe se gradualisht i zgjidhin të gjithë problemet për të cilat ishin kritikuar, si mospasja e bazës ligjore, mungesës së qasjes në internet për të gjithë fëmijët, etj.