Inspektorati i Arsimit, kryesisht i kënaqur me mësimin online

Mësimi online po zbatohet thuajse nga të gjitha shkollat e vendit. Kontrollet ndaj shkollave po bëhen në formë elektronike, përmes pyetësorëve. Ky është vlerësimi I Inspektoratit Shtetëror të Arsimit duke shtuar se detyra e këtij institucioni është të ndjekë punën e shkollave në këtë gjendje të jashtëzakonshme por pa krijuar presion ndaj mësimdhënësve. Nga Inspektorati thanë se vërejtje janë regjistruar vetëm për nxënësit dhe mësimdhënësit që për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike akoma nuk janë përfshirë në mësimin online. Këto të fundit pritet të përfshihen në mësim pas furnizimit më kartë për internet mobil prej 10 GB.

Ndërkohë, mësimi online po zbatohet përmes platformave të ndryshme varësisht zgjedhjes që ka bërë mësimdhënësi. Mësuesja Hatixhe Topalli, nga shkolla fillore “Penko” tashmë tre javë po mban mësim përmes aplikacionit “Zoom”. Thotë se kjo është forma më e mirë për të qenë “sy më sy” me nxënësit.

Ka në këtë program tabelë ku unë shkruaj në tabelë, kemi slide ku i përgatiti prej përpara, ju jap sqarime direkte. Mirëpo, me Viber nuk u’a kisha preferu arsimtarëve përveç atyre që nuk kanë kushte. Tash secili arsimtarë mjafton që po mundohet ta gjej një zgjidhje që nxënësit të angazhohen me diçka. Mirëpo, me Viber apo me WhatsApp është pak më rëndë sepse mësuesja aty nuk mund të sqaroj direkt, nuk mund të shpjegoj direkt, angazhohen nxënësit ndoshta me ndonjë detyrë, mandej prindërit kanë më tepër probleme, atëherë prindërit duhet të bëhen mësues të nxënësve që tu ju japin sqarime- deklaroi Hatixhe Topalli, mësuese në sh.f “Penko”

Pavarësisht asaj se nuk janë në klasë të zakonshme, nxënësit e klasës së pestë të mësueses Hatixhe vazhdonin nga ngrenin dorën lartë për ti lexuar detyrat e shtëpisë.

Sipas mësueses Topalli mësimi online ofron edhe mundësi të lehta edhe për vlerësimin e nxënësve.

Me teste, unë ende nuk kam filluar mirëpo kam vlerësime të cilat aty për momentin I pyes me gojë gjatë shpjegimit, gjatë detyrave matematikore, ju lë hapwsirë, I lexojnë detyrat e shtëpisë. Një nxënës nuk mund të më dështojë për një muaj ose një muaj e gjysmë. Ne jemi ata të cilët në këto ditë të vështira duhet nxënësit ti japim vullnet, mos ti ngarkojmë shumë me teste, me detyra të ndryshme, por të shkojmë në një normale- tha Hatixhe Topalli, mësuese në sh.f “Penko”.

Nga 25 marsi edhe zyrtarisht nisi të zbatohet E-Klasa ose platforma nacionale e unifikuar për vijimin e procesit edukativ-arsimor “online”. Në faqen elektronike www.eduino.gov.mk tashmë janë vendosur video-leksione nga mësimdhënësit për lëndë dhe klasa të caktuara. Gjithashtu, mësimi do të vazhdojë edhe në distancë, nëpërmjet kanalit të parë dhe të dytë të shërbimit publik.

Burimi: Alsat-m.