SPB Tetovë filloi me realizimin praktik të projektit të ri parandalues – edukativ “Mos u bë viktimë e rrjeteve sociale – surfo sigurt” që të paralajmërohen nga rreziqet dhe të mbrohen nga keqpërdorimet.
Me projektin, bartës i të cilit është Sektori për parandalim, do të përfshihen mbi 3.500 filloristë nga të gjitha shkollat fillore në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, të cilët ndjekin mësim në mbi 200 paralele, ndërsa për realizimin e tij janë angazhuar 20 nëpunës policorë, paraprakisht të stërvitur.
“Në kuadër të projektit, i cili planifikohet të zgjat deri nga fundi i muajit të ardhshëm, janë paraparë ligjerime të posaçme në shkolla, ku nxënësve do t’u shpjegohet se si dhe me kë të komunikojnë në rrjetet sociale, e ata të mos keqpërdoren, por edhe do të këshillohen të jenë maksimalisht të kujdesshëm në komunikimin”, thotë Marjan Josifovski, zëdhënësi i MPB – Tetovë.
Nxënësve, gjatë zbatimit të projektit do t’u rekomandohet që të mos u dërgojnë fotografi dhe video materiale personave të panjohur, e posaçërisht jo fotografi me përmbajtje eksplicite. Filloristët do të paralajmërohen edhe në rreziqet e mundshme nga pjesëmarrja e tyre në video-lojëra me elemente të dhunës, vetëlëndimit ose përmbajtjeve tjera të dhunës dhe sjelljes së pashembullt.
Qëllimi i projektit është që nxënësit prej së afërmi të informohen për keqpërdorimet e mundshme në rrjetet sociale dhe në mënyrë efikase të mbrohen prej të njëjtave.