Në fshatin Sellcë të Tetovës është vendosur gurthemeli i shkollës fillore “Rilindja”. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin,Kryeministri Talat Xhaferi, ministri Jeton Shaqiri, myftiu i Tetovës dhe shumë funksionarë dhe deputetë tjerë. Në fjalën e tij, në vendosjen e gurthemelit, kryeministri Xhaferi tha se vetëm në dy vitet e fundit, janë ndërtuar dhe rikonstruuar 120 objekte shkollore. “Çdo nxënës, pa marrë parasysh se ku jeton, në qytet apo në fshat, ai ka të drejtë të ketë kushte të denja për shkollim. Shkolla e fshatit Sellcë do të kushtojë rreth 100 milionë denarë dhe e njëjta do të ndërtohet deri në vitin 2025. Vetëm në dy vitet e fundit, janë ndërtuar dhe rikonstruuar 120 objekte shkollore, dhe janë ndërtuar 43 salla sportive në shkolla fillore dhe të mesme. Investimi në arsim është investim në ardhmërinë e shtetit, sepse pa arsimim asnjë shtet nuk do të ketë përparim”, deklaroi kryeministri Xhaferi.
Më tutje, fjalën e mori ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri i cili para disa muajve kishte premtuar ndërtimin e shkollës fillore “Rilindja” në fshatin Sellcë. Ai tha se ky projekt do të përafrojë standardet tona në arsim me standardet evropiane për kushte më të mira.
“Është nder dhe kënaqësi sot për mua që të prezantojmë këtë projekt të rëndësishëm kapital, për ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, për Qeverinë e vendit tonë, aq sa është i rëndësishëm për ne, është jetik për banorët, nxënësit dhe mësimdhënësit e këtij vendi. Dua që të falënderoj drejtorin Bajram Rexhepi i cili bashkë me ministrinë e arsimit ka qenë ura komunikuese me pushtetin lokal për kompletimin e dokumentacionit në afatit e paraparë, por edhe mbështetjen e parezervë të cilën e ka pasur zëvendëskryeministri Grubi dhe ministri i financave Besimi, që edhe përtej krizës financiare që kemi pasur, nuk ndaluan së punuari për këtë projekt të rëndësishëm. Kënaqësi e veçantë është që këtë projekt sot po e inaugurojmë bashkë me kryeministrin Xhaferi, sepse ky projekt do të përafrojë standardet tona në arsim me standardet evropiane për kushte më të mira, sepse përveç që është objekt për arsimin fillor, do të jetë i përshtatshëm edhe për arsimin parashkollor”, tha ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.
Kujtojmë që kjo shkollë është premtuar tashmë 20 vite, dhe e njëjta për shkaqe të rrëshqitjes së tokës dhe shkaqe tjera nuk është arritur të realizohet. Kjo shkollë do të përmbushë nevojat e banorëve të fshatit Sellcë të cilët e kanë pasur kërkesë të kamotshme ndërtimin e kësaj shkolle. (koha.mk)