Një nga tre aspektet e sistemit arsimor në të cilat investon Ministria e arsimit dhe shkencës, bashkë me institucionet e tjera kompetente si dhe me përkrahje të organizatave ndërkombëtare partnere, përskaj infrastrukturës e programeve arsimore si dhe librave është edhe kuadri arsimor. Në këtë drejtim , po punohet intensivisht në rritjen e motivimit të mësimdhënësve përmes rrogave më të larta, kushte më të mira për punë dhe trajnime permanente si dhe mundësi për yhvillim profesional.
Në pajtim me Ligjin për mësimdhënës dhe bashkëpunëtor profesional në shkolla, secili mësimdhënës duhet që për tre vite të kalojë 60 orë trajnime, nga të cilat 40 orë të jenë trajnime nga programet e akredituara.
Për vitin shkollor 2022-2023, Byroja për zhvillim të arsimit me përkrahje nga MASH dhe Banka Botërore, akreditoi 18 programe për trajnim të mësimdhënësve dhe 4 programe për trajnim të bashkëpunëtorëve profesional. Katalogu me programet e akredituara ishte i publikuar në web faqen e MASH dhe BZHA dhe mësimdhënësit patën mundësinë të zgjedhin trajnim në bazë të planit të tyre për zhvillim profesional.
Trajnimet realizohen në dy faza. Faza e parë u realizua në periudhën tetor-dhjetor të vitit 2022, ku në rreth 600 trajnime morën pjesë mbi 14 mijë mësimdhënës dhe 800 bashkëpunëtor profesional. Kurse faza e dytë filloi të realizohet në muajin qershor dhe do të zgjat deri në fund të muajit gusht, ku është planifikuar të marrin pjesë 17.200 mësimdhënës dhe 1.100 bashkëpunëtorë profesional.
Më shumë provajderë i realizojnë trajnimet, kurse secili provajder i akredituar ofrues i shërbimeve u siguron përkrahje profesionale mësimdhënësve edhe në periudhën e ardhshme. Kështu që, secili mësimdhënës për çdo çështje të paqartë, sfidë në mësimdhënie gjatë implementimit të njohurive të fituara nga trajnimi, mundet t’u drejtohet trajnuesve, të parashtroj pyetje dhe të shkëmbejë përvoja me kolegët përmes platformave të cilat i sigurojnë trajnuesit.
Organizimi i trajnimeve në kontinuitet do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse është mënyra e vetme që të përforcohen kompetencat profesionale të mësimdhënësve si hallkë kyqe në procesin edukativo-arsimor nga e cila më së shumti varet kualiteti i gjeneratave të cilat po krijohen.