Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së ka botuar publikimin shkencor në tri gjuhë “Përdorimi i gjuhëve nga këndvështrimi krahasues ”, nga autorët prof. dr. Ylber Sela, prof. dr. Marina Andeva dhe mr. Llazo Matovski.
Promovimi i botimeve të fundit (në shqip, maqedonisht dhe anglisht) vjen në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, që do të shënohet më 21 shkurt dhe në të cilën tema kryesore do të jetë analiza e politikave gjuhësore të 12 vendeve të përzgjedhura me traditë dhe specifikë shumëgjuhëshe.
Të udhëhequr nga të menduarit nëpërmjet qasjes shkencore dhe metodologjike për të treguar kornizën ligjore dhe institucionale që e rregullon përdorimin e gjuhëve në fusha të ndryshme shoqërore në vendet e analizuara, autorët shpresojnë se ato do të jenë të dobishme për lexuesit, ndërkaq janë të disponueshme në faqen zyrtare të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës të RMV-së në shqip, në maqedonisht dhe në anglisht.
Autorët e publikimit dëshirojnë të shprehin mirënjohjen e tyre për bashkëpunëtorët, recensentët, ekipin e ekspertëve nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, të cilët janë përfshirë në përkthimin dhe në lekturimin e publikimit, si dhe për të gjithë faktorët e tjerë që ndihmuan në përgatitjen e tij.