Nxënësit e Kumanovës që ndjekin mësimin në shkollën e mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov” në Shkup që nga fillimi i vitit shkollor nuk kanë transport të organizuar. Bëhet fjalë për nxënësit, drejtimet e të cilëve nuk ekzistojnë në shkollën e mjekësisë në Kumanovë. Nxënësit thanë për Alsat se çmimi i biletave është i pa përballueshëm për familjet e tyre.
“Bileta e autobusit është 170 denarë, 340 denarë na duhen vetëm për rrugë, vetëm për transport, çdo ditë ku vitet e kaluara nuk ka qenë ky problem. Me këto të holla kemi mund të kalojmë ditën, me ushqim e me pije, gjithçka që na është nevojitur e tash këto duhen si bonus. Nëse vazhdon kështu atëherë do ta provojmë edhe me bojkot edhe me grevë të mësimit nëse nuk na gjejnë një zgjidhje”, tha një nxënëse.
“Ne nuk jemi tu pas as mundësi të paguajmë rrugën, jemi duke humbur shumë mësim, një gjë që ndikon shumë keq te ne. Ne si nxënës të Kumanovës as nuk dëshirojmë të humbim mësim se është shumë i rëndësishëm për ne, si teori, si praktikë. Thjesht, kisha dashur dhe lutem që sa më shpejt të kryhet kjo punë, me na gjet një zgjidhje, një autobus, që ne mos të humbim shumë mësime”, tha një tjetër nxënës.
Disa nga prindërit thanë se nxënësit po humbin nga mësimi për shkak të pamundësisë për të siguruar para për të shkuar në shkollë.
“Kërkojmë mundësi, zgjidhje. Ose do të zgjidhet ky problem ose do të gjejmë ndonjë mënyrë tjetër, ose do ti çlajmërojmë nxënësit se s’kemi mundësi ta përballojmë këtë çmim. Ka ndodhë që djali im, në pamundësi nuk ka ardhur ta ndjek mësimin, ka ndodhë që dy ditë javën e kaluar nuk ka ardhur”, tha Armend Selmani, prind.
Drejtoresha e shkollës së mesme të Mjekësisë, Maja Sali tha për Alsat se procedura për lidhjen e kontratës me një transportues do të përmbyllet brenda pak ditësh. Saliu shpreh keqardhje për vonesën e transportit duke shtuar se procedura u vonua për shkak të afateve të shumta të regjistrimit. Përveç kësaj, Sali tha se do të shqyrtohen të gjitha mënyrat ligjore për të kompensuar shpenzimet e deritanishme të nxënësve./Alsat.mk