NASA publikoi të hënën dy imazhe të reja të Jupiterit nga teleskopi hapësinor “Webb”, që shfaqin tiparet e planetit në detaje.
Imazhet u kapën nga kamera infra e kuqe e teleskopit, e cila përdor rrezatim infra të kuqe për të zbuluar objektet në hapësirë.
Ajo është në gjendje të vëzhgojë trupa qiellorë, të tillë si yjet, mjegullnajat dhe planetët, që janë shumë të ftohtë ose shumë të zbehtë për t’u vëzhguar në dritën e dukshme, ose çfarë është e dukshme për syrin e njeriut.
Imazhi i parë i Jupiterit është një përbërje që tregon planetin më të madh në sistemin diellor kundër “sfondit të zi të hapësirës” me rrotullime të ngjyrave të ndryshme. Imazhet tregojnë atmosferën e trazuar të Jupiterit.
Shkëlqimet e portokallta të ndezura në krye dhe në fund të planetit tregojnë Aurorat Veriore dhe Jugore të Jupiterit, përkatësisht, të vendosura në të dyja polet.
Gjithashtu në imazh tregohet edhe Njolla e Madhe e Kuqe e famshme, e cila mund të prodhojë erëra më shumë se 250 milje në orë dhe është sa 1.3 herë diametri i Tokës, sipas NASA. Imazhi e tregon njollën si të bardhë, sepse reflekton rrezet e diellit dhe qëndron në një lartësi të madhe.
Imazhi i dytë tregon një pamje më të gjerë të Jupiterit, duke përfshirë unazat e tij, të cilat janë një milion herë më të zbehta se planeti, sipas agjencisë hapësinore.
Shihen gjithashtu dy nga hënat e Jupiterit, Adrastea dhe Amalthea, të cilat ndodhen në anën e majtë të unazave.
Edhe pse pjesa tjetër e imazhit tregon errësirën e hapësirës, ka pika të paqarta në pjesën e poshtme, të cilat në fakt janë galaktika të zbehta që shkëlqejnë në distancë.
“Ne nuk e kishim pritur me të vërtetë që të ishte kaq mirë, për të qenë i sinqertë, – tha Imke de Pater, një profesor i nderuar i astronomisë, tokës dhe shkencës planetare në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, i cili ndihmoi në udhëheqjen e vëzhgimeve të Jupiterit.
– Është vërtet e mrekullueshme që ne mund të shohim detaje mbi Jupiterin së bashku me unazat e tij, satelitët e vegjël dhe madje edhe galaktikat”. /Noa.al