Më shumë se gjysma (55 për qind) e prindërve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mendojnë se fëmija i tyre do të ketë një karrierë në një fushë kreative. Një studim i kohëve të fundit në SHBA me 2000 prindër me fëmijë të moshës shkollore zbuloi se shtatë nga dhjetë (71 përqind) prindër besojnë se fëmija i tyre është më kreativ se sa në moshën e tyre dhe se librat mund të jenë një forcë shtytëse. Gjysma e prindërve blejnë libra për fëmijën e tyre të paktën një herë në muaj.
Kur bëhet fjalë për librat, baballarët duket se janë shumë të vëmendshëm dhe aktiv në këtë çështje. Burrat kanë më shumë gjasa se gratë t’u blejnë libra fëmijëve të tyre një ose disa herë në muaj (54 kundrejt 44 për qind). Një fëmijë mesatarisht ka rreth 26 libra, prej të cilëve 21 i zgjedh vetë. Vetëm gjashtë për qind e koleksionit mesatar të librave të fëmijëve i përbëjnë lektyrat që kërkohen në shkollë.
Gjashtëdhjetë e dy përqind e fëmijëve kanë raftet e tyre të librave dhe pothuajse gjysma (48 për qind) janë plot. Megjithatë, së shpejti mund të shtohen më shumë, pasi tre nga katër (76 për qind) prindër thonë se fëmija i tyre po pret me padurim të mbushë raftin e librave me libra të rinj.
Dhuntia e leximit
Sondazhi, i kryer nga firma për hulumtime të marketingut OnePoll në emër të ThriftBooks, zbuloi se prindërit kanë më shumë gjasa të pëlqejnë të ndajnë librat e tyre të preferuar me fëmijët e tyre (58 për qind), më shumë se emisionet televizive (50 për qind), lodrat (47 për qind) dhe vendet ose përvojat (44 për qind).
Prindërit e gjeneratës Z kënaqen veçanërisht t’u tregojnë fëmijëve të tyre librat e tyre të dashur të fëmijërisë, më shumë se çdo grupmoshë tjetër (76 për qind). Në përgjithësi, si prindërit ashtu edhe fëmijët kënaqen të lexojnë shpesh – 65 për qind e prindërve e bëjnë këtë, dhe po aq mendojnë kështu për fëmijët e tyre.
Për këtë qëllim, prindi dhe fëmija mesatarisht shpenzojnë rreth pesë orë në javë duke lexuar. Sa i përket zhanreve të preferuara, rreth një e treta (32 për qind) e prindërve theksojnë se fëmijëve të tyre u pëlqejnë librat me aventura. Zgjedhje të tjera të njohura përfshijnë fantazinë (27 për qind), trillimet (27 për qind) dhe historitë misterioze (27 për qind).
Çdo zhanër mund të jetë edukativ
Duke marrë parasysh se 69 për qind e prindërve theksojnë se fëmija i tyre ka shumë energji krijuese, gjithmonë kërkohet mundësi shtesë për ta përdorur atë. Tridhjetë e shtatë për qind e fëmijëve i kanalizojnë talentet e tyre artistike përmes vizatimit, ndërsa 32 për qind shkruajnë.
“Ka shumë mënyra se si prindërit dhe edukatorët mund të vazhdojnë të ushqejnë dashurinë e një fëmije për të lexuar gjatë gjithë viteve, nga leximi me zë të lartë së bashku e deri tek ajo që fëmijët t’i sjellin në jetë historitë e preferuara duke i vizatuar ose interpretuar ato,” tha ThriftBooks.
Gjithashtu, pesëdhjetë e katër për qind e prindërve blejnë libra edukativë ose fletore pune për fëmijën e tyre dhe 48 për qind e tyre e bëjnë këtë gjatë gjithë vitit. Më shumë se një e katërta (26 për qind) e prindërve duan gjithashtu ta inkurajojnë fëmijën e tyre të lexojë libra më informues.
Rekomandime për libra
Pavarësisht nga zhanri, tre burimet kryesore për prindërit për të gjetur rekomandime të reja librash për fëmijët e tyre janë miqtë dhe familja (32 për qind), faqet e librave si Goodreads dhe Book Riot (30 për qind) dhe kërkimet në internet (28 për qind). Sondazhi gjithashtu pyeti fëmijët nëse dashuria e tyre për të lexuar i frymëzon ata të bëhen shkrimtarë kur të rriten dhe zbuloi se 68 për qind thanë po.
“Çdo zhanër libri mund të bëhet lehtësisht një mjet edukativ. Duke marrë parasysh preferencat e fëmijëve për të lexuar, mësuesit mund të krijojnë një bibliotekë të fortë brenda dhe jashtë klasës për t’i kthyer studentët nga lexues në dashamirës të librit”, sipas ThriftBooks.
ThriftBooks është një shitës i madh në internet i librave të përdorur me pakicë me bazë në Seattle në Uashington. ThriftBooks shet libra të përdorur, DVD, CD, kaseta VHS, video lojëra dhe kaseta audio.
Burimi: TRT Balkan