Gjatë pandemisë u rrit numri i konsumatorëve dhe shërbimeve të operatorëve celular. Numri i shfrytëzuesve të internetit është rritur në 2020 për 7,8% ndërsa në 2021 për 8,8% krahasuar me vitin 2019. Përdorimi i internetit fiks është rritur për 67,4% krahasuar me 2019, ndërsa në 2021 për 144,5%.
“Tani jemi në fazë të negociatave për uljen e çmimeve në BE-në. Bosnja dhe Hercegovinë është ndërmjetësues mes Ballkanit dhe BE-së dhe pritet që deri në 2027 të ketë ulje serioze të çmimeve ose roaming falas”- deklaroi Jeton Akiku, drejtor i AKE-së.
15 qytete përveç Shkupit janë mbuluar me 5G ndërsa për Shkup ky proces do të mbarojë deri në fund të majit.
“Sipas ligjit, nëse paraqiten më pak ose aq sa ofrohen frekuenca, atëherë nuk hapet tender por qeveria jep pëlqim dhe shkohet drejtpërsëdrejti me shitjen e ofertave operatorëve. Besoj se gjatë muajit të ardhshëm kjo do të realizohet, kështu që operatorët do të mund të lëshojnë 5G”- pohoi Jeton Akiku.
Sipas raportit global për konsumatorët e internetit, 6 nga 10 njerëz për momentin përdorin internet, përkatësisht 60% nga popullsia e Ballkanit. Kosova ka më shumë konsumatorë ndërsa Shqipëria më pak konsumatorë të internetit, tregon raporti i quajtur Dixhital 2022, i publikuar nga DataReportal. Në Maqedoninë e Veriut shkalla e shfrytëzimit të internetit që nga fillimi i vitit 2022 është 84% nga popullsia e përgjithshme.
Burimi: TV21