Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi, i njoftoi se nuk ka të lënduar nga ky zjarr, por vetëm janë shkaktuar dëme materiale. Durmishi tha se Komuna e Tetovës ka kërkuar ndihmë nga Komuna e Gostivarit, Bashkia e Shkupit, dhe Qendra për Menaxhim me Kriza.
“Në çdo moment i presim të arrijnë helikopterët e Qendrës për Menaxhim me Kriza, pasi kapacitetet tona zjarrfikëse nuk mjaftojnë për ta shuar këtë zjarr. Fatmirësisht nga kjo situatë nuk ka të lënduar ose viktima. Sektori për Arsim pranë Komunës së Tetovës ka marrë vendim që nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, sot të lirohen nga procesi edukativo-arsimor”, tha Durmishi.
Ai njoftoi se organet kompetente janë duke hetuar arsyet që çuan në shpërthimin e zjarrit, ndërsa e përsëriti apelin që qytetarët të mos dalin pa nevojë në qytet, për shkak të ndotjes së ajrit që është shkaktuar nga zjarri. /Alsat