Shaqiri: Nxënësit do të kenë edhe tekste të printuara edhe digjitale

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve, konfirmoi se nxënësit të cilët vitin e kaluar e kanë filluar me konceptin e ri digjital, vitin e ardhshëm shkollor do të mësojnë si nga tekstet digjitale ashtu edhe nga ato të shtypura, shkruan 360 Shkallë, transmeton Portalb.mk.

“Ju e dini që koncepti i cili ka nisur vitin e kaluar në klasën e parë dhe të katërt duhet vazhduar. Materialet e nevojshme janë bërë në bashkëpunim me Byronë për Zhvillimin e Arsimit. Nga materialet për klasën e katërt dhe të pestë, vitin e kaluar kishim vetëm për të katërtin. Ministria ka filluar me shpalljen e konkursit për aplikimin e autorëve për prodhimin e materialeve”, tha Shaqiri.

Do të ketë materiale digjitale dhe të printuara për nxënësit e klasave të katërta dhe të pesta.

“Kur të jenë gati do të njoftoheni dhe do të përcaktohet mënyra se si do të jenë në dispozicion këto materiale”, tha Shaqiri.

Deputetja Bllagica Llasovska nga VMRO-DPMNE, e cila e shtroi pyetjen, e përshëndeti planin e Ministrisë së Arsimit për të mos përjashtuar tekstet e shtypura plotësisht dhe propozoi të pranohet modeli kroat, e jo ai i propozuar nga ish-ministrja Carovska.

Ndryshe, në fillim të muajit Portalb.mk shkroi se MASH, do t’i blejë të drejtat autoriale të të gjitha librave për klasën e parë, dytë, katërt dhe pestë me qëllim që formatin e tyre elektronik të mund ta ngarkojë në bibliotekën digjitale “e-ucebnici” që nxënësit të kenë mundësi t’i shkarkojnë në telefona të mençur, tablet apo kompjuter.