“Pedagogjia dhe zhvillimi i saj sot” është libri më i ri profesor Xheladin Murati, i cili këto ditë doli nga shtypi. Ky libër është një sintezë e qasjeve të shumta dhe e teorisë dhe praktikës pedagogjike që më pak ose më shumë janë të pranishme në procesin zhvillimor të pedagogjisë. Libri trajton dhe shtjellon procesin e zhvillimit si dhe punën pedagogjike që duhet të ndërmerret në zhvillimin dhe reformimin e pedagogjisë, shkruan gazeta KOHA.
Libri është i pari i këtij lloji tek ne. Autori i librit, mes tjerash synon të japë përgjigje në shumë pyetje të zhvillimit dhe të reformimit të saj siç është pedagogjia dhe edukimi, ç’është teoria, cili është raporti i teorisë me praktikën pedagogjike, si ndërtohet sistemi teorik i pedagogjisë etj. Libri paraqet një projekt studiues për zhvillimin e pedagogjisë. Zhvillimi është një problem shumë i komplikuar, ndërsa autori ofron anët pozitive të reformimit dhe fuqizimin e saj teorik.
Së pari, autori arriti që përmes librit të prezantojë mundësinë e teorizimit të zhvillimit të pedagogjisë në rrethanat e zhvillimeve të hovshme shkencore-teknologjike. Së dyti, autori pothuajse e braktisi të kaluarën, duke ngritur në të njëjtën kohë qasjen aktuale të zhvillimit të pedagogjisë dhe të reformimit të saj. Së treti, në këtë libër autori dëshmon për rëndësinë e ndërlidhjes së teorisë me praktikën për zhvillimin e mendimit pedagogjik dhe për parimin e tij. Pastaj, autori thekson dhe vë në pah rëndësinë e veçantë të kërkimeve shkencore për bashkëkohësimin e pedagogjisë.
Autori u ofron studentëve dhe studiuesve një tekst komplet mbi konceptin zhvillimor dhe reformues të pedagogjisë të mbështetur në përvojën dhe teorinë pedagogjike. Ai shpjegon dhe elaboron proceset kryesore që trasojnë rrugët e reformimit. Prandaj libri është një udhërrëfyes për organizimin e studimeve të pedagogjisë, modernizimin e saj dhe reformimin në segmente të ndryshme. (koha.mk)