FITIM NUHIU/ UNË, PARADOKSALISHT, I REBELUARI…!

Shkruan: Fitim Nuhiu

Të tjerët më njohin si fëmijë invalid, por unë nuk ndjehem i tillë, ndoshta sepse nuk e di si të jesh dhe të kesh këmbët tua që të të binden të ecësh, të vraposh si të duash e ku të duash! Derisa një ditë dolëm me familjen dhe më shëtisnin me karrocën time (që më është bërë gjymtyrë shtesë e imja) vetëm ku ata donin të shkonin dhe tani kam filluar ta ndjej veten jo të plotësuar, sepse kisha ca dëshira që s’mundesha dot t’i realizoja!

U ulëm në një park dhe po shihja fëmijët tjerë teksa loznin futboll në një fushë të gjelbër e që se imagjinoja dot asnjëherë, sepse mua mu dukeshte por si një lëndinë normale sikur gjithë tjerat! Befas, trupin ma përshkoi një rrënqethje, e më pas një therje në zemër sepse doja të luaja edhe unë, të gjuaja atë top të mallkuar dhe të ndjeja forcën goditëse të topit teksa e gjuaja si gjyle përpjetë dhe pasandej të bërtisja në kup të qiellit e së bashku me këtë ta ndjeja edhe forcën e këmbëve të mia! Mirëpo jo jo, vetëm ndodhte të shikoja gjersa fëmijët tjerë luanin dhe herë – herë në shenjë ngushëllimi për mua, më gjuanin me dorë që ta prekja e t’ia gjuaja përsëri atë të mallkuarin, – topin e rrumbullakët dhe kështu disi më mjaftonte derisa e “kënaqja” brendësinë time!?

Njerëzit përreth meje se si më shohin me një keqardhje ngushëlluese e që më irriton më shumë se sa më ngushllon, realisht më vret shpirtërisht dhe më bëhet sikur kam nevojë për ndihmën e tyre: – jo jo assesi, do të mundohem t’ia dal vetëm, sepse edhe unë kam ca forca të miat që ia dal të jetoj me krenari mes tyre, – përnjëherësh i fola vetes sikur me të shpejtë e me ca nervozizëm.

Kam një xhaxha që mundohet të më argëton herë pas here pa u shtirur si shumë njerëz tjerë, derisa një ditë më mori me vete në det që të lahemi e të kënaqemi dhe unë i mjeri e dua detin me një dashuri të zjarrtë, dua të “notoj”… por… sidoqoftë, kur shkuam ai mezi më barti në krahë gjer te varka, sepse kisha shtuar edhe unë ca peshë, – por ç’të bëja, më duhej të haja edhe unë i shkreti e të rritem!!! Së bashku hipëm në varkë dhe filluam xhiron e lundrimit. Oh sa bukuri, oh sa mrekulli, – për moment mu bë t’ua jepja një zëri ngazëllyes e hareje që më dilte nga thellësia e shpirtit nga gëzimi! Por jo, assesi ta nxjerr dhe për moment e frenova veten disi, sepse m’u shkrep papritmas një mendim se, mos vallë mund ta përmalloja xhaxhin dhe ta bëja të vuaj!?

Kur përfunduam xhiron e lundrimit tonë, i kërkova që t’më fus në ujë, që ta prek për së afërmi dhe ai më realizoi dëshirën, por nuk i ndjeja këmbët kur u zhytën në ujë sepse vetëm nga beli e përpjetë fillova ta ndjeja lagështirën dhe ftohtësinë e ujit, sidoqoftë, u kënaqa. I kërkova (sepse jetoj duke u varur nga kërkesat dhe kjo më kall datën pse s’mund t’ia dal i vetëm) që t’më ngrejë lartë e poshtë dhe u kënaqa shumë nga një veprim i tillë, por ama edhe e lodha xhaxhin tim, duke e kuptuar nga frymëmarrja e thellë që merrte, dhe i thashë t’më linte në varkë të lundroja, që të jetë më lehtë për të. Këto detaje jete i përmenda dhe desha të them se pavarësisht asaj që dua t’ia dalë i vetëm dhe me forcat e mia, prapë se prapë kam nevojë për ndihmën e njerëzve përreth, kështuqë, një buzëqeshje e sinqertë, një bisedë e drejtë me mua duke më konsideruar të barabartë dhe duke mos më parë në syrin e inferiorit do t’më jap zemër dhe gjallëri jete. Këmbët s’më binden për ecje, por ama kam mendjen që dalloj dhe vlerësoj shumë gjëra tjera, kështuqë mos më merrni për invalid, por më konsideroni të barabartë mes jush.