FITIM NUHIU/ BOTA NË SYTË E FËMIJËVE

Të shikosh botën, jetën, filozofinë e jetës njerëzore nga bota, nga qasja e një fëmije është shkollë dhe përvojë në vete dhe një përjetim i veçantë, gjë që ne, të rriturit, shpesh e lëmë pas dore, duke u justifikuar se ata janë akoma fëmijë, sinonim i asaj që s’dinë asgjë.

Fitim A. Nuhiu
Kohët e fundit kemi analizuar një “lloj” arti, një “lloj” letërsie që kokat gjeniale e kanë trajtuar përmes tematikës së luftërave, vuajtjeve, varfërisë njerëzore, botëkuptimit të një fëmije dhe kjo qasje vlerësohet se do zgjidh shumë problematika dhe shumë pikëpyetje të të rriturve.
Në romanin “Hajdutja e librave”, Markus Zuzak shfaq këndvështrimin e luftës hitleriane, persekutimet e hebrenjve nga syri dhe mendja e një jetimeje të braktisur.
Gjithashtu edhe Çarls Dikens (David Koperfild, Dombi dhe i biri, Oliver Tuisti) shtjellon varfërinë e shtresës popullore nga këndvështrimet e protagonistëve fëmijë…
Autori i romanit “Nën qiellin e përflakur”, Mark Sullivan, gjithashtu zgjedh që tmerret e Luftës së Dytë Notërore në Itali t’i përshkruan nga protagonisti i tij, Pino Lela, një adoleshent i pafajshëm.
Kemi edhe ditarin e Ana Frankut, ku ndryshe nga trillimet artistike, ajo ka bërë që miliona e miliona njerëz të ndjejnë dhimbjen njerëzore. Është origjinaliteti, sinqeriteti dhe ndjenjat e çiltra që shpërfaq ajo në ditarin e saj.
Edhe filmi “Capernaum” shtjellon një jetë të një protagonisti fëmijë (djalë) të braktisur nga prindërit e tij varfanjak. Atë jeta e mëson dhe e bën më të urtë se prindërit e tij, duke shprehur disa fjali shumë domethënëse.
Kjo qasje do na ndihmojë shumë që të jemi më njerëzor, duke menduar qasjen që edhe fëmijët kanë përjetimet e tyre karshi mjerimit, varfërisë, luftërave, në mënyrë që të marrim mësime nga ato krijesa të padjallëzuara.
Fëmijët dinë, kuptojnë dhe ndjejnë më shumë se ç’mendojmë se dinë… Dhe me sa duket, aposteriori, ne – të rriturit, me kalimin e viteve, në vend që të piqemi më mirë, na rezulton e kundërta e saj.

Huazuar nga: HEJZA