Shkruan: Faton Ismaili
Sot mbushen 7 vjet nga largimi në amshim të arsimtarit tonë Mentaz Allajbegu
Në emër të nxënësve të tij dhe sportistëve, të cilëve ua ndjelli dëshirën për sport, e në shenjë kujtimi!
Kur e them sportistët, mendoj në sportistët e mirëfilltë. Jo secili person që është marrë me sport edhe e meriton epitetin SPORTIST.
Me këtë rast e kam patjetër të përkujtoj disa që shumë shpejtë pas vdekjes arsimtarit iu vërsulën veprës dhe arritjeve të të Madhit Mentaz Allajbegu.
Për fatin e mirë tonin (e për fatin e keq të atyre që mundohen t’ia ndukin mishin njeriut, i cili nuk është në mesin tonë fizikisht) VEPRAT E NJERËZVE NUK MUND SHLYHEN.
DIKUSH MUND TË PËRPIQET TË FASLIFIKOJË FAKTET, HISTORINË, POR KOT ËSHTË, POSAÇËRISHT SOT….
Ata që po bëjnë përpjekje të këtilla duhet ta njohin pak historinë. Duhet ta dinë se gjëra të ngjashme u kanë ndodhur edhe veprimtarëve tjerë në fusha të tjera.
Për shembull, sistemi komunist në Shqipëri tërë kohën e orvat ta injorojë dhe minimizojë vlerën e veprës së Faik Konicës, por ja që ai sistem u rrënua në Shqipëri, ndërsa Faik Konica u kthye me shkëlqimin e plotë të veprave të tij dhe të gjitha vlerat që i ka ai për popullin shqiptar…
Tekstin në vijim e kam shkruar para gjashtë vitesh me rastin e 1 vjetorit të vdekjes së Mentaz Allajbegut.
Mendoj se nuk duhet të ndryshoj asgjë!
NË KUJTIM TË ARSMITARIT!
Është shumë vështirë që jeta një njeriu, i cili punoi aq shumë, i cili dha aq shumë, ndërsa nuk mori gjë, të përmblidhet me një fjali. Mbase fraza – ERDHI QETË DHE HYRI NË LEGJENDË, … mund ta përshkruajë jetën e mësuesit, trajnerit dhe patriotit Mentaz Allajbegu.
Një njeri i mençur ka thënë se- Mësuesit mesatarë tregojnë, mësuesit e mirë sqarojnë, mësuesit e mrekullueshëm demonstrojnë, ndërsa mësuesit MADHËSHTORË frymëzojnë.
Arsimtari dhe trajneri ynë ishte MADHËSHTOR. Ishte i tillë sepse frymëzoi qindra e mijëra të rinj shqiptarë, ua mbolli në shpirt vetëbesimin dhe i bindi se janë të aftë të arrijnë çdo gjë…
Por…si hyri ky njeri në jetët dhe shpirtin e shumë të rinjve shqiptarë?
Vërte erdhi shumë qetë…
Ishte viti 1968, në Shkup u përurua godina e re e Shkollës Fillore “LIRIA”. Mësimi në godinën e re e moderne zhvillohej qetë. Dhe… një ditë… Zoti në shkollën tonë e kishte dërguar një djalosh të ri. Erdhi ashtu… shumë qetë… por qysh të nesërmen të gjithë filluam të ndjejmë se po ndodhte Diçka e re… po aktivizohej – një lloj vullkani (!)…, megjithatë ende s’e kishim të qartë se ç’ishte!?
Që ditën e dytë të Arsimtarit në punë, vullkani shpërtheu dhe filloi të derdhë lavën, ndërsa uji në moçalin, mu aty në zemër të Shkupit filloi të vlojë. Llumi, nga mos aktiviteti dhe letargjia që i kishte kapluar shqiptarët e Shkupit kishte plandos gjithçka në moçal dhe rreth tij. Përnjëherë uji i turbullt u kthjellua, thua me ndonjë shkop magjik!
Që ditën e dytë të Arsimtarit në punë, palestra e fizkulturës nuk ishte si më parë; i ngjante një koshereje plot-e-përplot me bletëza. Aty punohej ditë e natë, pa ndalë… Dita në atë palestër fillonte herët, dritat fikeshin vonë, shpesh edhe s’fikeshin fare… Fëmijët vinin e shkonin; derisa një grup ushtronte, grupi tjetër priste radhën me padurim. Në atë palestër hynin e dilnin fëmijë, të rinj e të rritur, por kishte një person, një figurë e vetme që ishte konstante (!)… Ishte ky Arsimtari jonë Mentaz Allajbegu!
Asokohe s’kishim telefona celularë, por Arsimtarin gjithnjë e kishim në dispozicion; e dinim ku dhe kur mund ta gjejmë…e gjenim në palestër, prej mëngjesi deri në mesnatë…
Ndërkohë, deri atë ditë, kishim menduar se futbolli ishte sporti i vetëm në botë. S’e dinim se ekziston basketbolli, hendbolli, atletika ose që në shkolla mund të ushtrohet edhe mundje, a edhe më pak ishim të vetëdijshëm për aftësitë dhe mundësitë tona (!)…
Ishte zjarri në kraharorin dhe pasioni në zemrën e Arsimtarit, që ndezi shumë imagjinata për të arritur majat e sportit. Ai trazoi shumë shpirtra të fjetur. Kudo që punoi dhe veproi Shkup, Prishtinë, Tiranë ai s’e la të qetë më asnjë fëmijë dhe të ri.
Nuk i punoi vetëm në vendet e bukura dhe të lehta, në kryeqendra dhe qytete, por shkonte edhe në fshatrat më të largëta; me një fjalë ishte i palodhshëm.
Kishte vullnet dhe energji të pashtershme me të cilën, me plot kuptimin e fjalës, E INFEKTOI rininë shqiptare.
Dikush mbase edhe mund të dyshojë se një person, i vetëm, mund t’i sjellë krejt këto ndryshime. Ne nxënësit e tij me plot bindje themi se, PO, është e mundur. Themi kështu sepse e kemi e parë dhe e kemi përjetuar.
Energjia pozitive që e rrezatonte ai, vuri në lëvizje gjithçka përreth tij; i nxiti të gjithë të bëjnë edhe gjëra që dukeshin të pamundura.
Sot, emra të nxënësve të tij gjenden në gjitha listat e kampionëve: Olimpik, Botëror edhe Evropian.
Të gjithë pajtohen se dashuria është e këndshme, por është pasioni që dashurinë e ngritë në nivelet më të larta. Pasioni është dashuri deri në dhimbje.
Mentaz Allajbegu sportin, e sidomos mundjen e kishte pasion. E ndrynte në çdo qelizë të qenies së tij. Pasioni e bënte Arsimtarin tonë të veçantë, MË TË MADHIN …
Pasioni i tij në stërvitje, në biseda, në sqarime e demonstrime i shtynte të gjithë që gjatë stërvitjeve mos ta pranojnë, e as mos ta ndjejnë dhimbjen fizike… Sportistët që kanë pasur fatin të jenë së paku 5 minuta bashkë me Arsimtarin qoftë në fushën e hendbollit, basketbollit, në tapetin e mundjes ose në fushën e gjelbër të pehlivanllëkut e dinë mirë për çfarë po flas tani!
Gjatë historisë shumë atletë falë aftësive fizike e mentale të jashtëzakonshme kanë arritur rezultate marramendëse, por majat më të larta – Pijemontin e Sportit Botëror e kanë pushtuar vetëm ata të cilët me arritjet dhe veprimet e tyre kanë lënë gjurma të thella në mbamendjen e mbarë njerëzimit.
Atleti afro-amerikan Xhesi Ouens në LO në Berlin (1934) fitoi 4 medalje të arta. Ishte koha kur nazistët proklamonin idenë e racës superiore duke përçmuar racat tjera, e atleti i madh me rezultatet që arriti t’i shkërmoqë të gjitha paragjykimet (!) …
Muhamed Aliun bota e njeh si boksier i cili, me stilin e tij këtë sport të vrazhdët luftarak, e ngriti në nivel të artit. Është shpallur SPORTISTI MË I MADH I TË GJITHA KOHËRAVE. Ajo që e bën më të madhin nuk është vetëm boksi, por një veprim i lartë moral jashtë ringut. Në fillim të viteve 60-a të shekullit XX, Muhamed Aliu refuzoi të shërbejë në ushtri dhe të shkojë në Vietnam, ku zhvillohej një luftë joparimore. Liria e të tjerëve ishte e shenjtë për të, prandaj pranoi të heq dorë nga liria e tij fizike, duke ruajtur kështu ruajti lirinë shpirtnore. Ishte plotësisht i vetëdijshëm se për shkak të atij vendimi do të burgosej, do t’ia marrin titullin e kampionit botëror dhe… se do të humbasë miliona dollarë, por prapë-se-prapë nuk e zgjodhi materialen…
Janë arritjet, vendimet dhe sakrificat e tilla që i veçojnë njerëzit e mëdhenj, prej njerëzve të rëndomtë.
Ne që e kemi njohur Arsimtarin për së afërmi, e dimë se ai rregullisht ka pas oferta të majme, të largohej nga Shkupi ose Prishtina e të shkonte në shtete normale, ku do të materializonte aftësitë dhe shkathtësitë e tij prej trajneri të madh. I refuzoi të gjitha, shkurtë dhe qetë… Sakrifikoi dhe humbi shumë materialisht, por shpirtnisht ishte i lumtur. Ia kishte vënë vetes një qëllim dhe ishte betuar. Do t’i rrënojë të gjitha paragjykimet asokohe (pse jo edhe sot), ndaj shqiptarëve dhe vendosi të qëndrojë…
Paraja nuk e joshte atë, rezultatet e nxënësve dhe sportistëve të tij ia jepnin kënaqësinë dhe qetësinë!
Arsimtarit mund t’i themi se mund të prehet i qetë sepse Ai e arriti qëllimin, por ne shqiptarët, ne kemi dështuar (!)…
Një njeri i madh ka thënë, NËSE NUK DËSHIRONI T’JU HARROJNË – shkruani gjëra të cilat vlejnë të lexohen, ose bëni vepra për të cilat ia vlen të shkruhet.
MENTAZ ALLAJBEGU KA BËRË VEPRA PËR TË CILAT IA VLEN TË SHKRUHET!
Ne nxënësit e tij, kemi vendosur që në kujtimet tona ta ruajmë pamjen e tij djaloshare, të cilin në vitin 1968 Zoti e kishte dërguar në mesin tonë. Pamjen e mësuesit të ri të fizkulturës, i cili me sjelljen e tij e përfitoi shpirtin dhe besimin tonë, për tërë jetën.
Për Ne, Ai ishte dhe do të mbetet një dhe i vetmi!
Lavdi të Madhit Mentaz Allajbegu!