Studimi: Njerëzit dhe Neandertalët, evoluan nga një paraardhës misterioz i përbashkët

Nga Laura Geggel

Njerëzit modernë dhe Neandertalët, mund të kenë ndryshuar të paktën 800.000 vjet më parë.

Ky përfundim, vjen nga një analizë e gati 1.000 dhëmbëve nga njerëzit, dhe të afërmit tanë të ngushtë. Ky vlerësim i ri, është shumë më i vjetër se sa vlerësimet e mëparshme të bazuara në analizat e AND-së së lashtë, të cilat përcaktonin se ndarja ndërmjet njerëzve dhe Neandertalit, kishte ndodhur midis 500.000 dhe 300.000 vjet më parë.

Megjithatë, ndërsa hulumtuesit e jashtëm e quajtën mbresëlënëse analizën e re të dhëmbëve, ata vërejnë se ajo bazohet në një supozim të madh:që forma e dhëmbëve, evolon në një mënyrë të qëndrueshme, sidomos tek Neandertalët. Nëse forma e dhëmbëve, nuk evoluon me një ritëm të qëndrueshëm, atëherë materiali përbërës nis të shpërbëhet”- thotë Fernando Ramirez Rozi, drejtor i hulumtimeve të specializuara në evolucionin njerëzor në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Shkencore në Tuluzë të Francës, që nuk ishte i përfshirë në këtë studim.

Thënë kjo, ka shumë gjasa që dhëmbët (dhe dhëmbët e Neandertalit në veçanti), të evoluojnë në një normë të parashikueshme, çka do të thotë që në shënjestër mund të jetë pikërisht llogaritja e studimit të ri. “Për momentin, ekziston ideja e një ndryshimi të qëndrueshëm të evolucionit të formës së dhëmbëve”- thotë Ramirez Rozi.

Studiuesit shqyrtuan 931 dhëmbë, që i përkasin të paktën 122 individëve nga 8 grupe, duke përfshirë njerëzit, dhe të afërmit tanë të afërt. Nga këto, 164 dhëmbë ishin nga Neandertalët e hershëm të gjetur në Sima de los Huesos (Spitali i Kockave) në Spanjë, një mostër që përfshin pothuajse 30 individë, që jetuan rreth 430.000 vjet më parë, gjatë epokës së mesme të Pleistocenit.

Duke krahasuar ndryshimet në formën e dhëmbëve, midis mostrave të marra në analizë, studiuesja Aida Gomez-Robles, paleoantropologe në Universitetin e Londës, ishte në gjendje të llogariste normat evolucionare në ndryshimin e formës së dhëmbëve, dhe pastaj të vlerësonte kohën e ndryshimit nga paraardhësi i fundit i përbashkët, midis njerëzve modernë dhe Neandertalëve.

Rezultati, që Neandertalët dhe njerëzit modernë u shfaqën me gjasë nëpër botë më shumë se 800.000 vjet më parë – tregon se paraardhësi i fundit i përbashkët i këtyre dy grupeve ndoshta nuk është Homo Heidelbergensis, siç mendonin deri tani disa shkencëtarë.

“Homo Heidelbergensis, nuk mund ta zërë atë pozitë evolucionare, pasi ai vjen pas ndryshimeve mes Neandertalit dhe njerëzve modernë”- tha Gomez-Robles për “Live Science”. ”Kjo do të thotë që ne duhet t’i shqyrtojmë specie më të vjetra, kur hetojmë për të gjetur këtë specie të përbashkët stërgjyshore”.

Përfundimi ka gjithashtu “ndikime të mëdha, në mënyrën se si i interpretojmë të dhënat fosile, dhe marrëdhëniet evolucionare midis specieve”- thotë Gomez-Robles. Ndryshimi i dallimeve midis Neandertalëve dhe njerëzve modernë, “po hap një derë të re” pasi sugjeron se që të dyja grupet ishin të dallueshme për shumë më tepër se sa mendohej më parë, tha Ramirez Rozi.

Megjithatë, kjo ngre një pikëpyetje, thotë ai. Njerëzit modernë dhe Neandertalet, u kryqëzuan mes tyre rreth 60.000 vjet më parë, kur njerëzit modernë u larguan nga Afrika. (Ky lloj kryqëzimi me njëri-tjetrin, shpjegon pse gjenet e disa njerëzve modern, përmbajnë rreth 3 për qind të ADN-së Neandertalit).

Por, nëse njerëzit modernë dhe Neandertalët, janë ndarë të paktën 800.000 vjet më parë, është e habitshme që ata ishin ende në gjendje të bashkoheshin me njëri-tjetrin vetëm 60.000 vjet më parë, shprehet Ramirez Rozi. “Me fjalë të tjera, në gati 1 milionë vjet, evolucioni nuk ishte i mjaftueshëm për të krijuar pengesa (gjenetike, endokrinologjike, sjellore etj), për t’i ndarë përfundimisht këto dy specie?”-pyet ai.

Argumenti është parashtruar mirë nga Gomez-Robles, që është “një specialist i njohur i morfologjisë dentare të linjës së Neandertalit”, thotë Bruno Mauriel, drejtor i hulumtimit në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Shkencore (CNRS) në Paris, i cili nuk ishte përfshirë në këtë studim. Por, duket se mbetjet dentare të Neandertalit nga zona të ndryshme të Evropës, kanë secila “veçoritë e tyre”, tha Mauriel për “Live Science”.

Live Science – Bota.al