Mendonte se ishte jetime, vajza italiane takon nënën biologjike shqiptare dhe motrat pas 35 vitesh!

Nostalgjia për vendin ku kishte lindur dhe kishte kaluar shtatë vitet e para të jetës e sollën Oriklindën në Shqipëri tre vite më parë.

Kujtimet e pakta të vegjëlisë përpara se të birësohej nga një çift italian në vitin 1991 lidheshin vetëm me figurën e një zonjë të dashur që nuk ishte e ëma por edukatorja e Shtëpisë së Fëmijës në Vlorë.

Deri në ato momente ajo mendonte se ishte e vetme, e braktisur dhe siç i’a kishin cilësuar: jetime. Nga takimi me mësuese Vitoren përpara tre vitesh ajo zbuloi një të vërtetë që as nuk e kishte ëndërruar. Ajo kishte dhe dy motra të tjera dhe nëna e saj mund të jetonte ende diku në Shqipëri. I’u desh një kohë e gjatë mbi tre vite, me hulumtime dhe kërkesa pranë autoriteteve shqiptare që të mësonte vendndodhjen e familjes së saj por nuk arriti të marrë kurrë një përgjigje. Pasi ra në kontakt me redaksinë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” tek “E diela shqiptare” në TV Klan, nuk i’u desh të priste shumë. E ardhur enkas nga Italia për të kërkuar rrënjët e saj në emision, Oriklinda e kishte edhe një motiv domethënës.

“Nuk do doja të bëhesha nënë pa gjetur nënën time biologjike” – u shpreh ajo. Qershori i 2019-es ndoshta do mbetet përjetësisht në kujtesën e saj sepse për herë të parë pas 35 vitesh njohu dhe përqafoi Thëllëzën, nënën biologjike dhe dy motrat, Klea e Marinela. Ajo nuk e dinte se njëra prej tyre, Klea jetonte prej pesë vitesh në Vicenza, në të njëjtin qytet ku ajo ka kaluar pjesën më të madhe të jetës.

Një rastësi e denjë për një skenar filmi pasi si motrat dhe nëna biologjike e kishin kërkuar Oriklindën vazhdimisht që nga viti 1991. Ajo mësoi gjithë të vërtetën sesi kishte ardhur në jetë dhe arsyet që e kishin detyruar të ëmën që ta braktisë. Por asnjë kujtim i largët, sado i trishtë nuk mund ta prishte magjinë e atyre përqafimeve të ngrohta…

Image