Fotografja dhe studentja e drejtësisë nga Hawai, Diana Kim, ishte braktisur nga babai i saj kur ishte vetëm 5 vjeç, pasi prindërit i ishin ndarë.
Që atëherë, Diana kishte pasur një fëmijëri të vështirë, duke mbetur pa shtëpi dhe duke jetuar shumicën e kohës tek të afërmit e saj.
Mirëpo, pavarësisht vështirësive që ka kaluar, ajo ka arritur të ndërtojë një jetë të lumtur. Tashmë ka familjen e saj, bashkëshortin dhe dy djem dhe ka avancuar pasionin e saj për fotografinë, Avokaturën dhe drejtësinë.
Historia e Dianas është sa interesante aq edhe e dhimbshme. Në vitin 2003, derisa po studionte, ajo kishte nisur të fotografonte të pastrehët nëpër rrugë, si pjesë të një projekti të saj personal për të ndihmuar ata. Mirëpo në vitin 2012, përmes këtij projekti ajo kishte arritur që të zbulonte babain e saj biologjik, i cili e kishte braktisur shumë vjet më parë.
Njeriu të cilin e mban mend se ia ktheu shpinën atëherë kur i nevojitej më së shumti, kishte mbetur pa shtëpi, i palarë, me rroba të pista dhe tejet i dobët fizikisht. Ai madje as nuk e njihte të bijën, shkruan NBC News.
I prekur nga skizofrenia, ai refuzonte të merrte trajtim mjekësor, të hante, të lahej apo të vishte rrobat që Kim ia blinte.
Mirëpo, në vitin 2014, Kimi ishte telefonuar nga një kushërirë e cila i tregon se babai i saj kishte pësuar sulm në zemër. Ai ishte gjetur me fytyrë për toke në rrugë, mirëpo dikush e kishte thirrur policinë dhe e kishte dërguar në spital. Aty kishte filluar të rregullohej edhe raporti i Kimit me të atin dhe shumë shpejtë, pas trajtimeve mjekësore ai e kishte marrë vetën.
Tani Kim tregon se babai i saj është në gjendje të mirë dhe kanë raporte të mira me njëri-tjetrin.