Kompanitë përballen me vështirësi t’i plotësojnë vendet e lira të punës me fuqi të kualifikuar punëtore. Nga ana tjetër, të rinjtë mund të imponohen në tregun e punës vetëm nëse kanë arsim cilësor, në të cilin njohuritë teorike janë të plotësuara me përvojë praktike. Këto janë pikat fillestare të procesit të reformës së arsimit profesional, të iniciuar nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përmes përfshirjes së palëve të interesuara të sektorit privat dhe vetëqeverisjeve lokale. Dialogu “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm”, në të cilin Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë për të dytin vit i përfshin komunat dhe komunitetin e biznesit, sot vazhdoi në Gostivar.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu tha se qëllimi është hapja e profileve profesionale në shkollat e mesme që do të përcaktohet nevoja në komunitetet lokale.
“Së bashku gjejmë zgjidhje se si të tërheqim nxënësit e vitit të fundit në shkollat fillore, për të vazhduar shkollimin në një nga shkollat e mesme profesionale të komunës ku jetojnë. Dialogu na mundëson që t’i afrojmë pikëpamjet për të ardhmen e nxënësve dhe t’i udhëzojmë në mënyrë të drejtë përmes politikës së regjistrimit për vitin shkollor 2022/2023”, theksoi zëvendësministri Aliu.
Këtë vit shkollor janë hapur 97 paralele të reja duale në të gjithë vendin, në të cilën shkollimin kanë vazhduar 1400 nxënës, që është një sukses i madh, nëse e shohim se në të kaluarën në vend kishte vetëm 11 paralele duale. Në Gostivar ka një paralele për profesionin teknik makinerie.
“Numri i paraleleve duale duhet të rritet dhe jam i bindur se kjo do të ndodhë, sepse këtë vit anketat mes kompanive treguan se ata janë të interesuar në një numër të madh të marrin pjesë në procesin e trajnimit praktik të nxënësve në mjedisin real të prodhimit. “Nga 400 kompani të anketuara, mbi 90 për qind janë shprehur të gatshme të përfshihen në arsimin dual”, rikujton zëvendësministri.
Kryetari i Komunës Arben Taravari konfirmoi se në Gostivar ka interesim të madh për arsimin dual dhe pret përfshirjen e shkollave dhe kompanive të reja. Tha se kjo është një ide shumë e mirë, ndërsa puna praktike nuk do të thotë se nxënësit vetëm do të marrin pjesë në procesin e prodhimit, por ndihmojnë në punën dhe njëkohësisht mësojnë.
Natasha Janevska nga Oda Ekonomike e Republikës së Maqedonisë së Veriut tregoi se kjo iniciativë duhet të vazhdojë sepse vetëm me politikë të suksesshme të regjistrimit për krijimin e kuadrit i cili është i nevojshëm për kompanitë mund të kemi zhvillim ekonomik.
Përveç asaj që marrin arsimim që i rrit mundësitë e tyre për punësim të shpejtë, nxënësit që zgjedhin shkollën e mesme profesionale përfitojnë edhe bursa nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, të cilat për të regjistruarit në paralele duale janë në vlerë prej 3.500 denarë, mjete që u janë të mirëseardhura gjatë të mësuarit.
Dialogu “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm” realizohet me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës dhe Platformës për Dialogun Publiko-Privat, e cila artikulon interesat e katër odave më të mëdha ekonomike.