Kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme Blendi Hodai pranon se është ulur numri i nxënësve që bojkotojnë në disa shkolla, por kjo është si pasojë e kërcënimeve që nxënësit po i marrin nga drejtorët dhe profesorët e shkollave të tyre. Hodai sqaroi se presioni buron nga Ministria e Arsimit, bartet tek drejtorët dhe nga drejtorët tek mësimdhënësit, që nxënësit të ndalojnë së bojkotuari, sepse në të kundërtën do të duhet ta përsërisin vitin. Qytetet nëpër të cilat po bëhen këto kërcënime, ai përmendi Kumanovën, Prilepin, Shtip.
Ato sot kanë dërguar kërkesë tek deputetët në Kuvend që të hapet debat publik dhe të diskutohet për maturën shtetërore. Kjo sipas tij bëhet për shkak se siç tha, ministrja nuk dëshiron që të ulen dhe të gjejnë një kompromis.
Blendi Hodai, kryetar i UNSHM-së
“Të njejtat qytete vazhdojnë me bojkot edhe sot, por ka diçka që dua të potencoj. Mendoj se disa shkolla të mesme që kanë bojkotuar dje dhe pardje, sot nuk bojkotojnë përshkak të presioneve nga ana e mësimdhënësve dhe nga ana e prindërve. Do ti grumbullojmë të gjitha informacionet dhe do të tregojmë edhe sot se sa është numri i maturantëve që bojkotojnë”.
Kryetari i UNSHM-së vlerëson se ashtu siç bëhet për paga më të larta në arsim, njejt duhet të bojkohet për kërkesat e nxënësve dhe shtoi se nuk frikësohen nga kërcënimet që marrin.
Blendi Hodai, kryetar i UNSHM-së
“Bojkot për paga të larta po, por bojkot për kërkesa të nxënësve jo, kjo tregon që përveç pagave të larta keni nevojë edhe për dinjitet e kurim frike, ‘sa më e lartë paga aq më e lartë frika’, ky është pasqyrimi logjikes me të cilën po funksiononi ju, ju mund të vazhdoni po me të njëjtën logjikë, por duhet ta keni të qartë që nxënësit nuk marrin paga prandaj edhe nuk kanë pse të frikësohen nga kërcënimet e askujt”.
Ai tha se do të vazhdojnë me bojkotin dhe se i njejti do të vazhdoj edhe nëse kërcënimet nuk ndalen, por bojkoti do të ndalet siç potencoi kur kërkesat e tyre të pranohen.
Një ditë më parë ministrja Milla Carovska, deklaroi se numri i maturatëve që bojkotojnë mësimin është ulur dhe mohoi të ketë kërcënime nga ana e drejtorëve.
Kërkesat e Unionit janë që matura shtetërore e maturantëve të modifikohet, gjegjësisht nga 4 të bëhet në 2 lëndë dhe të ketë një detyrë projektuese.
/SHENJA/