Veles, paralelja në gjuhën shqipe rrezikon të mbyllet

Në gjimnazin “Koço Racin”, në Veles nuk është siguruar as numri minimal i nevojshëm  i nxënësve për paralelen e vetme në gjuhën shqipe. Nga rezultatet e publikuara sot, në afatin e parë të regjistrimit në këtë shkollë janë paraqitur vetëm 33 nxënës shqiptarë, ndërsa vetëm 17 prej tyre kanë pasur  60 pikët e nevojshme që të mund të pranohen. Ndërkohë që një paralele të funksionojë duhet të ketë së paku 25 nxënës të regjistruar. Drejtori i gjimnazit, Goce Aleksovski, thotë se i gjendur para një situatë të tillë, duhet të kërkojë leje  nga Vetëqeverisja Lokale që të lejohet funksionimi i paraleles vetëm më 17 nxënës, nëse numri nuk ndryshon pas dy afateve të mbetura.

Si paralele me 18 nxënës, sipas ligjit, nuk mund të funksionojë. Pikërisht për këtë arsye nëse mbeten numra të njëjtë edhe pas dy afateve të tjera, duhet të kërkohet leje e veçantë nga Vetëqeverisja Lokale. Kjo e fundit më pas sjell vendim a do të lejojë ose jo një gjë të tillë. Jemi të detyruar të kërkojmë diçka të tillë– deklaroi  Goce Aleksovski- drejtor I gjimnazit “ Koço Racin”- Veles.

Numri i nxënësve, qoftë shqiptarë apo maqedonas, që përfundojnë arsimin 9 vjeçar është më i lartë, shton Aleksovski, por thotë se ka shumë nxënës që për ndjekjen e arsimit të mesëm drejtohen në shkollat e qyteteve të tjera. Arsyet e këtij vendimi drejtori Aleksovski nuk i ka të qarta, sepse siç thotë, shkolla që ai drejton është ndër 4 më të suksesshmet në nivel shtetëror. Por, arsyet i japin prindërit. Disa prej tyre që nuk donin të flisnin para kamerave, përmendin mungesën e kuadrit për realizimin e mësimit në gjuhën shqipe. Se kanë vështirësi më sigurimin e numrit të profesorëve nuk e mohon as drejtori.

Profesorët për paralelen në gjuhën shqipe i sigurojmë me vështirësi. Ata vijnë nga qytete të ndryshme, nga Shkupi, Kumanova, Prilepi. Ata janë veçmë të punësuar, por vijnë edhe këtu të çrregullt, për të zhvilluar mësim. 07:46 Vërtet këta profesorë udhëtojnë, dhe është e vështirë edhe për ata- tha Goce Aleksovski.

Një prej tyre është edhe profesori i matematikës Ilir Neziri, i cili zgjohet në 3 të mëngjesit  që me tren të udhëtojë nga Prilepi drejt Velesit. Madje transportin e paguan vet.

Kur jemi paradite është vërtet shumë vështirë për mua, sepse është problem më i madh është udhëtimi. Më shumë na lodh udhëtimi, se sa puna tjetër. Zgjohem shumë herët në 3 e 30, që të bëhem gati. Në 4 e 15 e kam trenin dhe arrij këtu në orën 5  e 30. Mësimi na fillon në 7 e 15– tha Ilir Neziri- profesor i matematikës në “Koço Racin”-Veles.

Një tjetër arsye që nga 33 nxënës aplikues , janë pranuar vetëm 17,  është suksesi I dobët në arsimin fillor. Nga nxënësit maqedonas ky numër është më i lartë, gjithsej nga 108 që kanë aplikuar, 101 I kanë siguruar 60 pikët e nevojshme. Një tjetër shpjegim për numrin e vogël  të aplikuesve është edhe fakti që disa prej nxënësve nuk e vazhdojnë shkollën e mesme edhe pse e obligueshme me ligj, më së shumti kjo gjë ndodh tek vajzat. Vitin e kaluar nga Jabollçishti i Epërm, që ka rreth dy mijë banorë, ka aplikuar vetëm një vajzë.

ALSAT-M