Unioni i nxënësve të shkollave të mesme është i vendosur që mësimi të zhvillohet me model të kombinuar dhe jo online. Për këtë arsye ata do të protestojnë më 31 gusht, ditën e hënë. Kryetari i UNSHM-së Blendi Hodai për Tv Shenja, u shpreh decid, se qëndrimin nuk do ta ndryshojnë dhe se do të shkojnë deri në fund, derisa të merret parasysh propozimi i tyre. Ai nuk përjashton mundësinë që nga 1 tetori të ketë bojkto të mësimit online.
Blendi Hodai, kryetar i UNSHM-së
“Unioni i Nxënësve ka gati 3 vjet e gjysmë që është duke vepruar dhe kur i hyjmë një pune, zakonisht i shkojmë deri në fund. Andaj pas protestës do të shohim edhe njëherë si do të jenë qëndrimet dhe reagimet e institucioneve, Qeverisë dhe më pas do të vendosim për hapat e mëtutjeshëm. Nuk ka ndonjë gjë të sigurt, por që nga diskutimet me nxënësit e di që bojkoti i mësimit online nga 1 tetori është i pa evitueshëm ”.
Të revoltuar nga vendimi që nxënësit mbi klasën e 3 të ndjekin mësimin onlinë UNSHM, fillimisht paralajmëroi protestë për ditën e premte. Mirëpo siç tha Hodai kanë vendosur që ta shtyjnë për ditën e hënë shkaku i festës fetare që është nesër dhe se synojnë që në protestë të marrin pjesë më shumë nxënës, mësimdhënës dhe përkrahës të mendimit të tyre, nga të gjithë etnitë dhe religjionet.
Blendi Hodai, kryetar i UNSHM-së
“Protesta ishte caktuar për ditën e premte, por në konsultime në shumë qytete ku Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme vepron, e pamë të arsyeshme që për shkak të festës që ortodoksët kanë të premten, e pamë të arsyeshme që në shenjë respekti dhe ishte më e arsyeshme për neve që protestën ta shtyjmë për ditën e hënë, që të gjithë së bashku të jemi edhe prind, nxënës edhe mësimdhënës nga gjitha etnitë dhe religjionet”.
Ndërkaq, një ditë më parë Qeveria solli vendim që viti shkollor të nisë me një muaj vonesë, gjegjësisht nga 1 tetori, propozim ky i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme, të cilin ata e kishin dhënë në takim me Komisionin për Sëmundje Ngjitëse dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas vendimit të fundit të Qeverisë, që ka të bëjë me protokollet e miratuara për mësimin me prezencë fizike për shkollat fillore dhe të mesme, MASH-i detyrohet të ndërrojë kalendarin për fillimin e vitit shkollor më 1 tetor.
Përndryshe, protesta ditën e hënë është paralajmëruar të nisë në orën 17:30 minuta, para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe është planifikuar të përfundojë para Qeverisë.
Burimi: TV SHENJA