Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup zhvilloi Edicionin e 6-të të Konferencës Ndërkombëtare për Migracionin me titull “Njerëzit në Lëvizje, Shtetësia, Identiteti dhe Zhvillimi”

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup zhvilloi Edicionin e 6-të të Konferencës Ndërkombëtare për Migracionin me titull “Njerëzit në Lëvizje, Shtetësia, Identiteti dhe Zhvillimi”, nën bashkëorganizim me Universitetin Sassari nga Italia, Universitetin e Prishtinës, Universitetin “Shën Apostull Pali” nga Ohri dhe OJQ “Legis” nga Shkupi.

Në Konferencë me paraqitjet e tyre morrën pjesë Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale znj. Jovanka Trençevska, Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës z. Admirim Aliti, Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës. z.Lulzim Aliu si dhe Zëvendës drejtori i Agjencisë për Migracion z.Izmit Nura.

Në paraqitjen e tij para të pranishmëve Rektori i UNT-së prof. Dr. Izet Zeqiri foli për arsyet se përse qytetarët dhe sidomos të rinjtë lëshojnë akoma vendin, ndërsa theksoi rëndësinë e potencialit demografik për një shtet, në projektimin e zhvillimit ekonomik, politik, arsimor dhe shëndetësorë.

‘Ne duhet të pranojmë se kemi trende demografike negative, dhe rritje të emigracionit jashtë vendit, e gjithë kjo për shkak të rënies së numrit të lindjeve dhe plakjes së popullsisë. Migrimet filluan gjatë vitit 1952 dhe si rezultat i tyre deri në vitin 1986 u larguan 215 mijë njerëz, ndërsa sipas të dhënave të Bankës Botërore deri në vitin 2010 janë larguar 447 mijë qytetarë, ndërsa llogaritur me vitin 2022, vendin e kanë lëshuar midis 540 mijë dhe 600 mijë qytetarë’, tha rektori Zeqiri.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale znj. Jovanka Trençevska tha se numri i qytetarëve që lënë vendin, sidomos atyre të rinj është në rrënie e sipër, edhe pse fenomeni vazhdon, duke shtuar se strategji për ta parandaluar këtë fenomen ndërkombëtar ka adaptuar edhe Maqedonia e Veriut, siç është Rezoluta mbi emigracionin dhe Strategjia qeveritare për bashkëpunim me diasporën.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës z. Admirim Aliti tha se afro 40 për qind e popullsisë botërore migron, brenda dhe jashtë shteteve të tyre. Universitetet kanë mundësi të artë të bëjnë hulumtime, sepse politikanët janë të varur nga fushatat politike dhe shpesh nuk arrijnë të përfundojnë një proces brenda mandatit, ndërsa akadamia nuk ka limite kohore dhe mund të bëj plane afatgjate.

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës. z.Lulzim Aliu tha se ‘popujt dhe shtetet e ndryshme trajtojnë këtë fenomen në mënyra të ndryshme, dikush si opcion për jetë më të mirë, për punë më të mirë, dikush për studime dhe të tjerë për të shpëtuar familjet nga regjimet e ndryshme nëpër botë. Ky fenomen trajtohet edhe në vendin tonë, dhe në Ministrinë e Arsimit këtë e bëjmë përmes investimeve në arsim cilësor, për të arritur ngritje të shpejtë dhe të qëndrueshme ekonomike’ tha Aliu..

Në Konferencë paraqitje kishin Zëvendës drejtori i Agjencisë për Migracion z.Izmit Nura, zonja Mersiha Smailovic nga OJQ LEGIS nga Shkupi, pjesëmarrës nga universiteti i Ohrit, nga Italia, Kosova, Shqipëria dhe profesorë të UNT-së. Koordinator i Konferencës ishte prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare Prof. Dr. Rizvan Sulejmani ndërsa moderatore profesoresha Nita Beluli.

Ekipi i Komitetit Organizativ i UNT-së prezantoi Pasqyrën e regjistrimit të vitit 2021 në Republikën e Maqedonisë së Veriut, hulumtim ky i realizuar nga profesorët Elisabeta Bajrami Ollogu, Aleksandar Petkovski, Arta Xhelili, Diturije Ismaili dhe Mimoza Dushi.