Universiteti i Tetovës e ndjek me vëmendje publikimin e “informacioneve”, që hedhin dyshime për hulumtimet shkencore të disa profesorëve në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë. -thuhet në një komunikatë nga UT-ja, transmeton Klan Maqedoni.
Siç thonë nga shërbimi për Informim i UT-së, Edhe pse nuk është në detyrën e institucionit tonë që t’i komentojmë “zbulimet” e “revistave” me autorë anonim, UT-ja njofton opinionin publik se;
“Veprimtaria arsimore, hulumtuese shkencore e njësive akademike në Universitetin e Tetovës, zhvillohet në përputhje dhe respekt të plotë të kritereve shkencore. Avancimet akademike, mbrojtja dhe publikimi i punimeve shkencore u nënshtrohen mekanizmave filtrues, që e verifikojnë apo e skualifikojnë një kontribut të caktuar hulumtues –thuhet në komunikatën e UT-së.
Se Universiteti ynë ka pasur sukses në lëmin e kërkimit shkencor, sic thonë nga UT-ja, kjo dëshmohet edhe nga citimet në revistat me impact factor, pozicionimin e lartë në rangimet e agjencive prestigjioze ndërkombëtare si dhe organizimin e dhjetëra konferencave dhe kongreseve shkencore, në të cilat marrin pjesë qindra shkencëtarë të mirënjohur – thonë nga UT-ja.
Sa i takon lirimit nga detyra të ish-dekanit të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Kastriot Haxhirexhës, e njoftojmë opinionin publik se, rektori i Universitetit këtë vendim e ka sjellë si pasojë e keqmenaxhimit, joefikasitetit në punë, mosreagimin në kohë ndaj parregullsive dhe shkeljes së etikës së punës, mosmarrjen e përgjegjësive ligjore-statutore dhe moskoordinimin me Këshillin Mësimor –Shkencor të kësaj njësie akademike.
Ndaj, përtej tentimeve dashakeqe për ta njollosur këtë institucion nga botues anonim, revista pa adresë, persona me agjenda të dyshimta, ne jemi të angazhuar që të ecim përpara në rrugën e zhvillimit institucional dhe avancimit arsimor-shkencor.
Janë me mijëra studentë që për 26 vjet me radhë bashkë me pedagogët e tyre, punuan pareshtur që ky Universitet t’i arrijë synimet arsimore dhe kulturore të kombit shqiptar në vendin tonë” – thuhet në komunikatën e UT-së.