UNIVERSITETI I TETOVËS I SHPËRBLEU ME BURSA EKSELENTËT E CIKLIT TË PARË DHE TË DYTË

Universiteti i Tetovës (më,19 nëntor 2020), i shpërbleu me bursa universitare studentët më të mirë në ciklin e parë dhe atë të dytë.

Ndarja e certifikatave për studentët ekselentë u bë pa ndonjë ceremoni solemne siç bëhej viteve të kaluara, kjo për shkak të situatës së krijuar në mbarë botën, pra edhe në vendin tonë, me pandeminë e shkaktuar nga virusi Covid-19 dhe rekomandimeve të organeve shëndetësore për mosgrumbullimin e njerëzve.

Sipas përgjegjësit të Zyrës për Arsim të Universitetit të Tetovës, Doc. Dr. Ibrahim Neziri, këtë vit janë ndarë rreth 100 bursa për studentët e ciklit të parë dhe ciklit të dytë, të cilët i kanë plotësuar kushtet e nevojshme, siç janë kryerja në kohë e detyrimeve ndaj studimeve dhe notën mesatare ta kenë së paku 9.5. Sipas Nezirit, studentët përfitues të bursës lirohen nga pagesa e semestrit pa marrë parasysh kuotën e studimeve.

​Universiteti i Tetovës, me ndarjen e bursave universitare për studentët ekselentë ka filluar në vitin 2013 dhe gjatë këtyre tetë viteve përfitues të bursës kanë qenë mbi 1000 studentë të ciklit të parë dhe të dytë.

Ndarja e bursave realizohet në përputhje me Ligjin për arsimin e lartë, Statutin e Universitetit dhe me vendimin e Senatit të UT-së.