Shoqata “Dua ylberin” më 27.02.2021 organizoi webinarin me temë “Spektri i fëmijëve në çerdhe dhe kopshte”, ku ligjëruese ishin dy prej psikologeve të kësaj shoqate Sejhan Ajredin Hamiti dhe Edlira Destani. Pjesmarrës ishin; prindër, edukator, psikolog, pedagog, punëtor social, logoped, defektolog, edukator special, student nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
“Në çerdhe dhe kopshte është rritur numri i fëmijëve të cilët kanë interesa të kufizuara dhe modele të caktuara të sjelljes, kanë rutinën e tyre dhe kanë vështirësi ose pamundësi në komunikim. Gjithashtu teknologjia e vendosur para fëmijëve parashkollor po sjell dëme të konsiderueshme në aspekte të caktuara zhvillimore. Jo të gjithë fëmijët që paraqesin vështirësi kanë një diagnozë dhe shumë prej prindërve kanë filluar t’i kategorizojnë në normalitet vonesat e fëmijëve të tyre. E gjithë kjo situatë e krijuar ka sjell vështirësi të konsiderueshme në menaxhimin e procesit edukativ parashkollor, ku pesha më e madhe bie mbi edukatoret e çerdheve dhe të kopshteve. Duke marrë parasysh që ekipi ynë kryen veprimtari ndihmëse individuale dhe me grupe të vogla për fëmijët me Çrregullim të Spektrit të Autizmit, Sindrom Down, Paralizë Cerebrale, Vonesa gjuhësore, Çrregullime në të nxënë e diagnoza të tjera, vendosëm të fillonim ciklin e webinareve për këtë vit me këtë temë që prek të gjitha hallkat nga të cilat merr ndihmesë fëmija siç janë; familja, çerdhet / kopshtet dhe terapia individuale që e kanë të domosdshme. Interesimi për këtë temë ishte shumë i madh dhe komunikimi u vendos edhe në trajtimin e shumë pyetjeve dhe sqarimeve konkrete me pjesmarrësit”, deklaroi Edlira Destani psikologe klinike pranë kësaj shoqate.
Trajnimet dhe webinaret falas janë një praktikë pune shumë e shpeshtë e kësaj shoqate dhe tashmë ka si eksperiencë të saj dhjetra seminare me arsimtarë dhe profesorë, nxënës, student, profesionistë të fushës së trajtimit të fëmijëve me nevoja të veçanta.