S’ka mësues për shqiptarët në Veles!

Për të plotësuar deficitet në kuadrin mësimor në gjimnazin e Velesit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës po shqyrton mundësinë që vitin e ardhshëm shkollor të dërgojë mësues nga Shkupi dhe rrethinat, apo edhe qytete të tjera për të dhënë mësim në paralelet në gjuhën shqipe. Deklarata është bërë nga ministri Jeton Shaqiri i cili ndër të tjera ka thënë se nga Qyteti i Shkupit kanë marrë informacione lidhur me numrin e mësimdhënësve nga Shkupi dhe rrethinat që nevojiten për profilet deficitare.

“Në shkollën e Velesit është hapur një paralele e re në gjuhën shqipe, që nuk ka qenë vitin e kaluar, dhe të gjithë nxënësit që përfundojnë shkollat fillore të kenë më shumë mundësi për t’u kyçur në procesin mësimor. Sa i takon mungesës së mësuesve kam informacione se ka mësues të interesuar për të shkuar në Veles, si nga Shkupi, ashtu edhe nga komunat pranë Velesit. Ajo që po diskutojmë janë shpenzimet që duhet t’u paguajmë, është ngritur një grup pune që po merret me normativën, në lëndët deficitare do të shihen që të mund të zëvendësohen me lëndët e përafërta”, ka thënë ministri. Për momentin në shkollën e mesme të përgjithshme janë 80 nxënës që mësojnë në paralelet në gjuhën shqipe, ndërsa mësues numërohen pesë, në lëndët gjuhë shqipe, matematikë, kimi, histori gjeografi. Nga kjo shkollë thonë se deficiti me kuadrin mësimdhënës vjen edhe nga refuzimi për të punësuar mësues.

“Jo se nuk ka pasur të interesuar, por ata nuk janë pranuar. Mungesa e mësuesve që ligjërojnë në gjuhën shqipe është problem dhe shkaku kryesor që shumë nxënës detyrohen të shkojnë në qytetet të tjera për të mësuar në gjuhën shqipe, ose mësojnë në shkolla të tjera në maqedonisht”, thotë mësuesi i matematikës Ilir Neziri. Ai shton se çdo vit mbarojnë 130 nxënës arsimin fillor, por vetëm një numër i vogël regjistrohen në gjimnaz në gjuhën shqipe. Në gjimnazin e Velesit ka nga një paralele në gjuhën shqipe për çdo klasë, ndërsa në shkollën e mesme ekonomike vetëm një.

Në përgjithësi, gjendja me paralelet shqipe në Gjimnazin “Koço Racin” të Velesit, është e rëndë prej më shumë vitesh. Paralelet në gjuhën shqipe kanë rrezikuar të mbyllen dhe premtimet për përmirësimin e situatës, shtimin e kuadrit mësimor, motivimin e mësuesve, nxitjen e nxënësve për t’u regjistruar kanë mbetur të tilla nga ministrat shqiptarë të mëparshëm që kanë drejtuar këtë institucion.

TË MOS VIHET NË PIKËPYETJE MATURA SHTETËRORE

Mesazhi im për të gjithë të punësuarit së bashku me drejtoreshën është që të komunikojnë me institucionet tjera dhe të presin të zgjidhet Marrëveshja e përgjithshme kolektive. Në këtë mënyrë t’i tejkalojnë problemet dhe të mos vihet në pikëpyetje provimi i maturës shtetërore, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri pasi sindikata e të punësuarve të Qendrës Shtetërore për Provime (QSHP) paralajmëroi grevë për faktin se nga Ministria e Financave nuk ka marrë aprovim ndaj Kërkesës për ndryshim dhe plotësim të marrëveshjes kolektive. Në shkresën drejtuar mediave ata dje kanë bërë të ditur se në rast greve do të vihet në pikëpyetje edhe dhënia e provimit të maturës shtetërore, krahas testimeve të tjera që i organizon Qendra. Shaqiri ka thënë se të gjithë kanë përgjegjësi ligjore dhe siç tha ai, “ky institucion të mos shfrytëzojë situatën kur nxënësit e shkollave të mesme duhet të japin provimin e maturës shtetërore”.

Burimi: Koha.mk