Trendi i uljes së numrit të nxënësve ka prekur pothuajse çdo vendbanim të rajonit të Pollogut. Këtij trendi nuk i ka shpëtuar as rajoni i komunës së Zhelinës. Shkolla qendrore Pashko Vasa në fshatin Grupçin ka edhe tre shkolla periferike, atë në fshatin Cerovë, Debërcë dhe në Kapazhdoll. Në të kaluarën në këtë shkollë klasat ishin përplot me nxënës , kurse sot dukshëm është zvogëluar numri i nxënësve.
Arsimtari Amzi Rahmani, kujton vitet e para kur ka filluar me punë në këtë shkollë. Ai që 40 vite ligjëron lëndën e Gjeografisë dhe thotë se dukshëm ka rënë numri i nxënësve. Brenda këtij viti janë larguar tre nxënës dhe tashmë klasa ka mbetur me 13 nxënës. Sipas tij, të largohen për një kohë të shkurtër 3 nxënës nga një klasë është tepër shqetësuese. “Numri i nxënësve ishte shumë më i madh, kam qenë shpesh herë kujdestar klase dhe numri i nxënësve ka qenë 36 nxënës në një klasë, kurse viteve të fundit dukshëm kemi rënie të numrit të nxënësve. Kjo është shqetësuese për popullin tonë, sepse përveç që mbetemi pa punë, kemi të bëjmë me asimilimin e popullatës dhe me shkuarjen e familjarëve tanë në vendet evropiane vërtetë është shumë shqetësuese sepse shumica e tyre nuk do të kthehen, harrojnë traditat, harrojnë gjuhën, kulturën, por nuk duhet të harrojmë se edhe këtu ka jetë, ka shpresë, është pak më vështirë por edhe këtu jetohet”, thotë arsimtari Rahmani.
Në shkollën qendrore në fshatin Grupçin, trendi i uljes së numrit të nxënësve kohëve të fundit vërehet. Nga drejtoria e shkollës thonë se pasi që janë shkollë qendrore, ky trend më shumë haset në fshatrat e Malësisë së Zhelinës. Mesatarisht në këtë shkollë ka patur nga 500 nxënës, këtë vit pritet që të ketë një rritje të vogël. problem janë fshatrat Merovë, Sadllarevë dhe Kapazhdoll, ku ka rënie të vazhdueshme të numrit të nxënësve. “Në vitin shkollor 2022/23, ka patur 499 nxënës, kurse në vitin shkollor 2023/24, kemi gjashtë nxënës më shumë që janë regjistruar apo 506 nxënës. E dimë se brenda kohës mund të ketë largime sepse kjo është trend. Pasi që jemi shkollë qendrore dhe vendbanimi është mund të quhet më urban, ndryshimi nuk vërehet shumë, por në fshatrat malor vërehet ndryshimi më shumë. Nuk është shpërngulja e tyre vetëm jashtë vendit, por kemi edhe shpërngulje në qytetin e Tetovës”, thotë Eshtref Ahmeti, drejtor i shkollës fillore qendrore “Pashko Vasa” në Grupçin. Me këtë rast arsimtari Amzi Rahmani, ka një porosi. “Apeli im është që mos shkohet me shumicë jashtë vendit, të qëndrojmë këtu, të arsimohemi këtu, të zhvillohemi këtu, të përparojmë, sepse kemi nevojë për mjek dhe për çdo lëmi tjetër”, thotë ai.
Ndryshe, në këtë shkollë, në vitin shkollor 2019/2020 ka patur 552 nxënës, në vitin 2020, 2021, ka patur 559 nxënës, në vitin 2021/2022 523 nxënës, ndërsa këtë vit shkollor kishte më shumë rënie sepse u regjistruan 499 nxënës. Ky trend tashmë ka prekur çdo vendbanim të Pollogut, ku hasen klasë me pak nxënës. (koha.mk)