Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri ka reaguar pas vendimit të SAShK-ut për të vazhduar protestën duke e cilësuar këtë në dëm të të rinjve. Shaqiri u bëri thirrje drejtorëve të shkollave që të organizojnë mësim, ndërsa prindërit t’i lënë nxënësit të shkojnë në mësim.“Në interes të nxënësve dhe të mbarëvajtjes së procesit arsimor, si dhe në interes të mësimdhënësve dhe avancimit të statusit të tyre material social, dje arritëm marrëveshje me SASHK, e cila nga përfaqësues të partnerëve social, në prani të udhëheqësisë së lartë të Konfederatës Evropiane për Sindikatat e Arsimit, u prezantua para gjithë publikut: 12% rritje pagash në arsim nga korriku, përcaktim i përbashkët i metodologjisë për rritjen e pagave që do të aplikohet nga viti 2023 dhe pagesa e pagës për pushim vjetor poashtu nga viti i ardhshëm.Por fjala e SASHK-ut nuk zgjati as edhe njëzet e katër orë. Vendimi i kryesisë sindikale sot ka ndryshuar në dëm të të rinjve tanë, nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme.Ministria e arsimit dhe shkencës vlerëson se deri më tani është humbur shumë mësim dhe kjo gjë duhet të ndalet. Hendeku i njohurive i krijuar nga kjo grevë duke bllokuar plotësisht punën e shkollave është mjaft i madh dhe nuk duhet të thellohet më.Ftojmë drejtorët e shkollave, si përgjegjës për organizimin e punës së këtyre institucioneve arsimore, që nga nesër t’i hapin dyert e shkollave dhe të vazhdojnë me organizimin e mësimit në përputhje me ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm. Ata kanë kompetenca dhe janë përgjegjës për mosveprimin e tyre.Gjithashtu u bëjmë thirrje prindërve/kujdestarëve të nxënësve që nga nesër të vazhdojnë dërgimin/sjelljen e fëmijëve në shkollë. Ata janë më së paku fajtorë për humbjen e orëve për shkak të mungesës së seriozitetit të një organizate, por mund të ndihmojnë shumë në normalizimin e situatës.Le t’i japim fund këtij kapitulli të keq të këtij viti shkollor dhe t’u japim fëmijëve një të ardhme. Shumë prej tyre janë në pritje të regjistrimit në shkolla të mesme apo fakultete. Shumë kanë vendosur të punësohen pas mbarimit të shkollës së mesme, por është e pasigurt nëse diplomat do të jepen në kohë. Le të mos shkatërrojmë planet dhe pritjet e tyre. Të gjithë kemi përgjegjësi!”, ka shkruan Shaqiri në rrjetin e tij social në Facebook.