Për momentin 44 fëmijë prej çerdheve në shtet janë në izolim, pasi që është konstatuar se kanë qenë në kontakt me të prekur me KOVID-19. Megjithatë, ashtu siç vlerësoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpanska, fëmijët e sëmurë, infektimin nuk e kanë marrë në çerdhe, shumica e të punësuarve që kanë qenë të sëmurë janë kthyer në punë, a gjendja është nën kontroll, njofton Portalb.mk.
“Jo me çdo kusht do t’i mbajmë çerdhet hapur, nëse shohim se numri i rasteve pozitive rritet. Gjendja shëndetësore e 15 fëmijëve të cilët janë sëmurë prej 9 shtator deri më 15 tetor dhe të 45 të punësuarve është e mirë, që flet se gjendja është nën kontroll”, deklaroi ministrja Shahpanska.
Ajo sqaroi se çdo ditë në mesditë shihet se si është gjendja në të gjitha çerdhet në Maqedoni, a çdo të premte kontroll taksativ dhe dërgohet deri te Komisioni i Sëmundjeve Infektive, i cili vendos nëse do të vazhdojnë të punojnë çerdhet ose jo.
Shahpanska sot mori pjesë në debatin për të drejtat e punëtorëve në Shtip, ku ka folur edhe drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Punës, Alajdin Havziu, i cili është ankuar se edhe ata janë të goditur nga pandemia. Tre inspektorë për momentin janë në pushim mjekësor, për shkak se janë pozitiv në KOVID-19, por edhe një i Inspektoratit të Punës në Qytetin e Shkupit.