Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri për këtë javë paralajmëron një takim të zgjeruar mes përfaqësuesve të qeverisë dhe Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës lidhur me kërkesën për rritjen e pagave në arsim dhe kopshte, shkruan Alsat.
Duke komentuar qëndrimin e sindikatës se zgjidhja e problemit qëndron në respektimin e marrëveshjeve kolektive, që garantojnë rritje të pagave, Ministri Shaqiri thotë se marrëveshjeve nuk janë zbatuar për shkak të krizave të vazhdueshme.
“Sepse kanë qenë zhvillimet të cilat paraqiten. Do të thotë kishim situatën me Kovid, kemi krizën energjetike, krizën ekonomike dhe askush nuk e thotë se kjo marrëveshje nuk do të filloj të zbatohet. Ose është një ecuri pozitive e asaj që më herët zbatohej. Këto zhvillime e kanë sjellë këtë situatën, por do të mendohet edhe në të ardhmen që të zgjidhet edhe ky problem”, tha Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit.
Por nga Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës thonë se marrëveshjet kolektive janë nënshkruara shumë vite para se të paraqiteshin krizat dhe se tani katër vjet kërkojnë harmonizimin e pagave apo rritjen e tyre bazuar në marrëveshjet kolektive.
Nga sindikata janë kërcënuar me protesta dhe bojkot të mësimit nëse nuk pranohen kërkesat e tyre.
“Ne të negociojmë, të shohim zgjidhjen e mundshme, por të mos jetë zgjidhja e fundit bojkoti i mësimit, sepse ato që duhet më së paku të humbin nga ky proces janë nxënësit”, u shpreh Shaqiri.
Përveç SASHK-ut, edhe Sindikata e Pavarur në Arsim dhe Shkencë kërkon rritjen e pagave.
Përfaqësuesit e kësaj sindikate të shtunën dolën në protesta para qeverisë duke kërkuar që rritja e pagave prej 18 për qind duke nisur që nga muaji mars, në të kundërtën thanë se do të shfrytëzojnë të gjitha format e shprehjes së pakënaqësisë./ Alsat.mk