Regjistrimi i semi-maturantëve në shkolla të mesme për vitin e ri shkollor 2022-23 për herë të parë të parë do të realizohet vetëm në formën online.
Drejtuesit e shkollave të mesme thanë se kjo risi bart me vete një konkurrencë të fortë mes nxënësve duke mos lënë hapësirë për manipulime dhe ndërmjetësime. Drejtori i gjimnazit “Saraj”, Bedri Gjureci sqaroi se nxënësit do të aplikojnë përmes linkut e-uslugi.mon.gov.mk duke përdorur llogaritë e tyre tashmë të krijuara në Schools.mk.
“Në qoftë se nxënësi, supozojmë, në drejtimet e gjimnazit, ekonomi apo mjeksi janë pikët e caktuara, në qoftë se në gjimnaz konkursi parasheh 60 pikë, patjetër nxënësi duhet ti ketë 60 pikë që të pranohet. Në të kundërtën aplikacion për atë nuk do të jetë I hapur por do të jetë I hapur në shkollat, drejtimet e të cilave kanë më pak pikë. Tash do të jetë një konkurrencë e vërtet, një realitet se sa nxënës do të pranoj secila shkollë në bazë të pikëve apo rezultateve që kanë marrë nga shkollat fillore”, tha Bedri Gjureci, drejtor i gjimnazit “Saraj”.
Në afatin e parë për regjistrim, në muajin qershor, do të ketë tre paraqitje. Rezultatet për nxënësit e pranuar do të publikohen në faqen e Ministrisë së Arsimit. Pasi të jenë pranuar, dokumentacionin e kërkuar për regjistrim, nxënësit do të duhet të dorëzojnë edhe në shkollën ku kanë konkurruar.
“Paraqitja e parë është 14-15 qershor, paraqitja e dytë më 21 qershor dhe paraqitja e tretë më 28 qershor. Kurse, afati I dytë I regjistrimit është më 23 gusht. Pritshmëritë nga ky regjistrim online sivjet do të shohim si do të zhvillohet nëpër shkollat profesionale për shkak se nuk kemi përvojë në këtë aspekt. Vitet tjera ka qenë me prezencë fizike ..do t’ja lëmë kohës të shohim se si do të rrjedh ky proces i regjistrimit”, tha Nehat Rexhepi, SHMQSH “Braqa Milladinovci”.
Konkursi për shkollat e mesme, për vitin e ri shkollor 2022-23 ka paraparë mbi 29 mijë vende të lira për semi-maturantët në drejtimet gjimnaz dhe drejtimet profesionale. /Alsat/