Të mos ketë maturë shtetërore ndërsa të ngelet vetëm projekt detyra, kërkon Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme (UNSHM) nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Shkollarët e mesëm vlerësojnë se duke marrë parasysh rrethanat aktuale me mësimin përmes internetit, një provim i tillë nuk do të tregonte efektet e dëshiruara, shkruan Portalb.mk.
20 përfaqësues të Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme nga 20 qytete të ndryshme kanë nënshkruar një dokument ku në mes të tjerash informojnë se sipas disa anketimeve të tyre, shumica e nxënësve janë kundër mbajtjes së maturës shtetërore këtë vit, andaj ata kërkojnë anulimin e të njëjtit.
Këto janë disa nga arsyet e UNSHM-së për kërkesën e lartëpërmendur:
- Provimi i maturës shtetërore nuk do të jetë test efektiv për maturantët në këtë vit shkollor.
Gjendja e dobët e mësimdhënies në distancë nga marsi deri në qershor të vitit 2020, e plotësuar
me kurrikulat e shkurtuara për shkak të fillimit të prolonguar të këtij viti shkollor, vetëm e bëjnë
më të vështirë për nxënësit e shkollave të mesme të përgatiten në mënyrë adekuate për provimet
e maturës.
- Unioni, gjatë periudhës që kaloi, ka konsultuar nxënës të shkollave të mesme në të gjithë
vendin, në të gjitha qytetet ku vepron. Pozicioni i tyre është i qartë: shumica e nxënësve të
shkollave të mesme janë kundër mbajtjes së provimit të maturës shtetërore në vitin 2021.
- Nëse e shohim provimin e maturës shtetërore nga një këndvështrim më i gjerë, konkludohet se
këto provime i përkasin një zgjidhjeje të vjetruar arsimore. Testimet, në kuptimin konvencional
të fjalës, gradualisht po hiqen nga sistemi arsimor i vendeve të zhvilluara. Fakti i pranuar
përgjithësisht se përshkrimet në provime janë fenomen i përhapur që vetëm e zvogëlojnë
besueshmërinë e maturës shtetërore.
- Çdo vendim që lidhet drejtpërdrejt me nxënësit e shkollave të mesme duhet të merret me
përfshirjen e tyre. Prandaj, duke marrë parasysh të gjitha arsyet e mësipërme, vlerësojmë se
matura shtetërore për vitin shkollor 2020/2021 nuk duhet të mbahet.
- Në të njëjtën kohë, e mirëpresim vendimin e Ministrisë së arsimit dhe shkencës për të
reformuar detyrën e projektit. Reforma e bën detyrën e projektit shumë më interesante dhe e
çliron potencialin krijues të secilit maturant veçmas. Ne propozojmë që detyra e projektit të
mbetet pjesë e maturës shtetërore edhe në këtë vit shkollor.
Ndërkaq, disa ditë më herët ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska, theksoi se edhe pse ka pasur disa ndryshime dhe reforma në këtë, matura shtetërore ngelet si një nga obligimet ligjore dhe e njëjta do të mbahet edhe këtë vit.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se edhe këtë vit si dhe në të ardhmen vazhdon të vleje sistemi i vjetër i zgjedhjes së lëndëve të cilave do të ju nënshtrohen nxënësit në maturën shtetërore, për shkak të pandemisë me kovid-19, të njëjtat do të përgatiten me orë të shkurtuara mësimore. Matura shtetërore është obligim ligjor” deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska.
Ndryshe, shkollarët e mesëm të vitit të katërt më së voni me datë 30 nëntor të këtij viti duhet të paraqesin temën e maturës shtetërore, paraqitjen do ta bëjnë në shkollat e tyre. Nga ky vit, përveç modelit të vjetër të projekt detyrës, të njëjtat do të mund të jenë digjitale, me video dhe forma të ndryshme të prezantimit.