Në bazë të propozimit të Ministrisë së arsimit dhe shkencës për Konceptin e ri për arsimin në shkollat fillore të Maqedonisë së Veriut, planifikohet të ketë ndryshime thelbësore në organizmin e procesit arsimor, për të cilat debati publik pritet të jetë i hapur deri më 20 janar, transmeton Portalb.mk. MASH-i propozoi në Konceptin e ri për shkollat fillore të rritet kohëzgjatja e qëndrimit të nxënësve dhe arsimtarëve në shkolla.
“Qëndrimi i nxënësve në shkollë nuk kuptohet vetëm si një qëndrim në klasë sipas orarit të përcaktuar javor, por, përkundrazi, si kohë e kaluar në mësim (mësim formal ose joformal) dhe shoqërizim përmes lojës dhe aktiviteteve të tjera argëtuese (të strukturuara pak a shumë)”, propozohet në Konceptin e ri.
Koncepti është hartuar në atë mënyrë që plani organizativ i shkollës përfshin orarin e orëve mësimore dhe kohën tjetër në shkollë, përdorimin e hapësirave për mësimdhënie dhe aktivitete të tjera dhe angazhimin e të gjithë personelit në shkollë.
“Për sa kohë që shumica e nxënësve mësojnë në shkolla me mësimdhënie me dy ndërrime, qëndrimi i detyrueshëm i nxënësve nga klasa I deri në klasën V në shkollë është 5 orë në ditë, nga të cilat rreth 3-3,5 orë kalojnë në orët mësimore, dhe koha e mbetur në aktivitete të tjera”, sqarohet në Konceptin e propozuar.
Ndryshe, nxënësit prej klasës së gjashtë deri në klasën e nëntë duhet të kalojnë 6 orë në ditë, prej të cilave 4 deri 4.5 orë për orë mësimore.
“Për nxënësit e të gjitha klasave, disa nga aktivitetet janë të pastrukturuara (të tilla si pushimet ndërmjet orëve), dhe disa janë të strukturuara dhe të organizuara nga mësimdhënësit ose nga shkolla në llojin e orës klasore, plotësuese ose aktivitete shtesë të lidhura me mësimin, ose aktivitete jashtëmësimore”, sqarohet në Koncept.
Koncepti sqaron që mësimdhënësit mund të zbatojnë lëndët e lira zgjedhore, për të cilat nuk duhet patjetër të jenë të diplomuar, por duhet të jenë të aftë (psh. gatimi, fotografia, ndihma e parë dhe mbrojtja).
“Në mënyrë që të jenë në gjendje të përmbushin të gjitha detyrat, mësimdhënësit qëndrojnë në shkollë për 6 orë në ditë. Në mënyrë që të jenë në gjendje të përmbushin të gjitha detyrat, mësimdhënësit qëndrojnë në shkollë për 6 orë në ditë”, shkruhet në Koncept.
Disa lloje të aktiviteteve jashtëmësimorë, që theksohen në draft-Konceptin, mund të jenë afatshkurtra, të tilla si aksionet, piknikë, ekskursione dhe punëtori të njëhershme ose afatgjata, të tilla si klube ekologjike, klube sportive, teatër shkollor, kor shkollor dhe orkestër.