Një numër i madh i librave nga dy projekte, një i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe tjetri i Ministrisë së Kulturës vazhdojnë të “kalben” në magazinat e këtyre institucioneve, një pjesë e madhe e tyre në Gostivar. Nga MASh njoftojnë se disa prej tyre janë shpërndarë në institucione të ndryshme, por jo të gjitha dhe për këtë arsyetohen me faktin se bëhet fjalë për një projekt të madh, shkruan Portalb.mk.
Kanë kaluar dy vite që kur Portalb.mk zbuloi se mijëra libra të projektit “Përkthimi i 1050 titujve profesional dhe shkencor nga autor të huaj” qëndrojnë në magazina të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Gostivar.
Sot që flasim, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës potencojnë se në mënyrë të vazhdueshme është bë shpërndarja e këtyre librave në institucione shtetërore, bëhet fjalë për libra me shumë vlerë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe maqedonase.
“Librat nga projekti “Përkthimi i 1000 titujve profesional dhe shkencor nga autor të huaj” me të cilat mësohet në universitetet më mirë të ranguara në ShBA dhe Angli, ndërsa në fushën e juridikut edhe në Francë dhe Gjermani, projekt ky që më pas u furnizua edhe me 50 libra tjerë, fillimisht janë vendosur në një magazinë në Gostivar, më pas, me vendime të Qeverisë së RMV-së në mënyrë të vazhdueshme janë shpërndarë në ministri, universitete, biblioteka, librari, etj” deklaruan për Portalb nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Megjithatë, përkundër kësaj një numër i madh i librave vazhdojnë të qëndrojnë në magazinat e Ministrisë së Arsimit në Gostivar, nga kjo ministri arsyetohen me faktin se bëhet fjalë për një projekt të madh ndërsa librat distribuohen me vendim të qeverisë.
“Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për projekt të madh, kjo procedurë ende vijon. Vendime për shpërndarje të librave, nga ana e Qeverisë u morën edhe në muajin e kaluar, pra në shkurt, dhe në përputhje me planin, disa libra (7.282 në gjuhën maqedonase dhe 1.396 në gjuhën shqipe) janë distribuuar në vende të ndryshme” theksuan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Përndryshe, librat e projektit kapital “Përkthimi i 1050 librave dhe titujve shkencor nga universitetet prestigjioze”, edhe pse të botuar në vitin 2009, vazhdojnë të qëndrojnë në magazinën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Gostivar, duke qenë të papërdorshëm dhe të mbuluar me pluhur.
Ka libra të tjerë në qarkullim që janë me përkthim të keq dhe gabime të shumta. Portalb.mk zbuloi se fillimisht është planifikuar vetëm një fazë për përkthimin e 500 titujve, por si kanë kaluar vitet, ashtu edhe është rritur numri i titujve për përkthim.
Projekti, i cili dhe është emërtuar ndryshe përgjatë viteve, ka kaluar nëpër tre faza. Sipas të dhënave që u siguruan nëpërmjet Ligjit për qasje deri te informacionet me karakter publik, u kuptua se 770 tituj janë botuar në tirazh prej 1000 kopjeve (770.000 libra), për të cilët janë harxhuar më së paku 19 milionë euro. Projekti është zhvilluar gjatë kohore 2008 – 2017. Qindra titujve të tjerë nuk u dihet nami dhe nishani, nuk dihet çfarë është publikuar sepse nuk ka dokumentacion adekuat. Gjithashtu, ekziston dyshimi se ka shkelje të shumta të Ligjit për furnizime publike.Tenderë kanë fituar edhe kompanitë që janë donatorë partiak.
Nga ana tjetër, edhe mijëra libra të tjerë janë në kushte të njëjta në magazinat e Ministrisë së Kulturës në Shkup. Prej 770 mijë libra në vlerë prej 9 milionë euro për pesë projekte kapitale të kësaj të Kulturës, njëri prej tyre është edhe projekti “Përkthimi i 1050 titujve shkencor dhe profesional nga universitetet me renome botërore”, pati deklaruar ish ministri i Kulturës, Asaf Ademi në konferencën e parë të tij si ministër, më 5 korrik 2017.
Të dhënat janë potencuar edhe në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit, i cili gjithashtu ka potencuar se për shkak të mungesës së hapësirës në Ministrinë e Kulturës për t’u ruajtur librat në fjalë, janë shfrytëzuar edhe bodrumet e Muzeut të Artit Bashkëkohor, Bibliotekës Nacionale Universitare dhe Muzeut Arkeologjik.