Qeveria e Maqedonisë së Veriut informoi se në seancën e 144 ka marrë vendim për miratimin e fondeve nga buxheti shtetëror në shumën prej nëntë milion denarëve për ndërrimin e sistemit të ngrohjes në konviktin studentor “Kuzman Josifovski Pitu” në Shkup.
“Me këtë vendim, në përputhje me Planin e Qeverisë për ajër të pastër dhe Programin për uljen e ndotjes së ajrit,do të ndërrohet sistemi për ngrohje i konviktit në të cilin tani për tani përdoret mazuti që lëshon më shumë se 28 kilogram grimca PM 2.5 në vit dhe grimca PM 10. Me këtë vendim, konvikti studentor do të kyçet në sistemin e përgjithshëm për ngrohje në Qytetin e Shkupit. Harxhimet për ngrohje do të mbeten të njëjta, ndërkaq ndotja për ngrohjen e konviktit studentor do të ulet për tetë herë”, thuhet në lajmërimin e Qeverisë.