PUNËSIMI I STUDENTËVE: MARRËVESHJE UEJL – NORMAK TETOVË

MEMORANDUM BASHKËPUNIMI PËR OFERTËN DHE KËRKESËN E FUQISË PUNËTORE


Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi ndërmjet UEJL-së dhe Normak Investment Grup për mundësit e punësimit të studentëve. Objektivat kryesore të memorandumit janë krijimi i mundësive të punësimit nga Normak Investment Group të të studentëve aktual dhe të diplomuarve të UEJL-së, nëpërmjet këmbimit të informacioneve për ofertën dhe kërkesën e fuqisë punëtore.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Abdylmenaf Bexheti dhe drejtori ekzekutiv  i Normak Investment Group – Tetovë, Aleksandar Zarkov, nënshkruan Memorandum bashkëpunimi  për vendosjen e komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet të dy institucioneve. I pranishëm ishte edhe Kryetari i Bordit, Aki Etemi.

Rektori Bexheti shprehet optimist se kjo marrëveshje dhe ekipet operative do të jenë në krye të detyrës që Memorandumi I bashkëpunimit mos të mbetet në sirtar vetëm si dokument.

ABDYLMENAF BEXHETI – REKTOR I UEJL-së

“Ne kemi shumëcka të mësojmë nga sektori real dhe njëkohësisht sektori real ka shumëcka nevojë që ne t`i profilojmë studentët tanë në orientimin e asaj që ka nevojë ekonomia, për shkak se tregu I punës ka një situatë asimetrike, një shpërputhje midis asaj cka kërkohet dhe çka ofrohet. Dhe prandaj do të gjeni një numër kaq të madh të të papunëve në njërën anë dhe në anën tjetër do të gjeni një numër të madh të kompanive që kërkojnë të punësojnë por nuk gjejnë profile adekuate”

Me këtë memorandum parashihet edhe organizimi i trajnimeve për punëtorët aktual dhe potencial, si dhe realizimi i punës praktike të studentëve të UEJL-së sipas nevojave dhe interesit  të kompanive në Zonën e Lirë Industriale të Tetovës.

ALEKSANDAR ZARKOV – DREJTOR EKZEKUTIV “NORMAK” TETOVË

“Krijojmë mundësinë për studentët e diplomuar që të punësohem sa më shpejtë dhe në mënyrë adekuate për nevojat e kompanive që tashmë funksionojnë në Zonë si dhe për investimet e planifikuara për zhvillimin e zonës si potencial për punësime të ardhshme për studentët e këtij universiteti”

Normak Investment Group AD Tetovë e menaxhon punën e Zonës Industriale Zhvillimore dhe Teknologjike në Tetovë, sipas një marrëveshjeje për Partneritet Publiko Privat, të nënshkruar me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në vitin 2013. Aktualisht në Zonën Ekonomike të Tetovës janë 2.000 të punësuar kurse gjatë periudhës së ardhshme priten 1.300 deri në 1.500 punësime të reja. /KlanMacedonia