Çdo vit rreth 850 shkencëtarë nga e gjithë bota janë fitues të bursës Fulbright për kërkime të avancuara ose për mbajtje të ligjëratave në universitete të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Grantet janë në dispozicion për studiues nga mbi 155 shtete. Individët që plotësojnë kushtet aplikojnë për këtë grant përmes komisionit/fondacionit Fulbright ose seksionit për marrëdhënie me publikun pranë ambasadës së SHBA-së. Aprovimi përfundimtar i grantit bëhet nga Bordi i Bursave të Huaja Fulbright (FSB) i emëruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për vitin akademik 2021/20212 si finalist nga Republika e Maqedonisë së Veriut është përzgjedhur profesori i kimisë pranë Universitetit të Tetovës, Arianit Reka.
Doc. Dr. Arianit Reka, që nga tetori i këtij viti qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Universitetin për Shkencë dhe Teknologji në Mizuri – Qendra për Hulumtim të Materialeve që është në kuadër të departamentit të Shkencës dhe Inxhinierisë së Materialeve. Pjesa hulumtuese e profesor Rekës ka të bëj me valorizimin e mbetjeve industriale dhe përfitimin e materialeve ndërtimore në temperaturë të ulët si dhe me përfitimin e gjeopolimerëve nga hiri fluturues.
Hiri fluturues është një mbetje industriale – produkt i djegies së qymyrit, që në vete përmban elemente toksike shumë të rrezikshme për jetën e njeriut. Shtetet që varen nga thëngjilli për të prodhuar energji elektrike kanë sasi të mëdha të hirit fluturues, që shpesh nuk menaxhojnë si duhet me të. Parë nga aspekti mjedisor depozitat e hirit fluturues llogariten si bomba ekologjike që vazhdimisht i bëjnë dëm mjedisit dhe shëndetit të njerëzve, ndërsa nga aspekti i një teknologu shihen si lëndë e parë për të prodhuar materiale ndërtimore. Ky hulumtim pritet që të bën një gërshetim të këtyre dy disiplinave dhe të sjell një qasje të re – menaxhimi të zëvendësohet me përdorim (valorizimin) të këtij materiali (hirit fluturues dhe mbetjeve të tjera silikate) për nevoja të teknologjisë inorganike të prodhimit të materialeve ndërtimore të ndryshme. Kjo teknologji synon të ndryshon qasjen në prodhimin e materialeve të caktuara ndërtimore, ku teknologjia e pjekjes së materialeve në temperatura të larta të zëvendësohet me proces hidrotermal në temperaturë të ulët.
Profesor Reka në vitin 2016 ka përfunduar studimet e doktoratës pranë Fakultetit të Teknologjisë dhe Metalurgjisë (Shkup) në drejtimin e teknologjisë inorganike (proceset hidrotermale) dhe të njëjtin vit është punësuar në Universitetin e Tetovës. Ka një përvojë të gjatë ndërkombëtare që fillon nga 1999-ta kur është punësuar si përkthyes dhe analist i prokurimit në Qendrën e Përbashkët për Prokurim në Kampin Bondsteel (US Army, Northrop Grumman / JCC), Inspektor i Cilësisë në Agjencinë për Menaxhim të Prokurimit (DCMA), Menaxher i cilësisë (KBR Inc.), Konsulent i cilësisë (Ecolog Ltd.), Shef kabineti (MVL), profesor në kolexhin “Yahya Kemal” dhe udhëheqës i disa projekteve prej të cilëve njëra është IPA 2014-2016. Është fitues i bursës DAAD (2014), autor i 39 punimeve shkencore, 3 kapitujve të librave ndërkombëtar (Elsevier dhe Springer), pjesëmarrje në 23 konferenca shkencore ndërkombëtare. Antar aktiv i Shoqatës për Hulumtimin e Materialeve, Shoqatës së Kimistëve dhe Teknologëve në Maqedoni, Shoqatës së Kristalografisë Shqiptare, NanoAlb njësisë për nanoteknologji në kuadër të Akademisë së Shkencave – Shqipëri, Anëtar i Komitetit Drejtues (projekti COST- CA19118), recensent në disa revista ndërkombëtare etj. Gjatë periudhës 2017 – 2021 ushtruar detyrën e prodekanit për shkencë pranë Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore – UT.
Profesor Reka është profesionist i certifikuar në Prodhim dhe Sigurimin e Cilësisë nga Departamenti i Mbrojtjes (SHBA). Është nga Gostivari, vjen nga një familje arsimdashësish, është brezi i tretë në familje që është i përkushtuar në arsimimin e rinisë dhe promovimin e shkencës. /Almakos/