Mësimdhënësit në shkollat fillore dhe të mesme do të marrin paga të plota, ndërsa për edukatorët ende nuk dihet. Për këtë bisedimet ende po vazhdojnë mes SAShK-ut dhe Ministrisë për Punë dhe Politik Sociale, e nga ana tjetër edukatoret shprehen të revoltuara.
Edukatorja dhe sindikalistja Hatixhe Koxha e revoltuar tha se dy javë ato ishin prezentë në orare të caktuar si çdo ditë, por se vetëm nuk kanë pranuar fëmijë, e se për këtë kanë pasur edhe përkrahjen e prindërve.
“Po ku ka forcë nuk ka drejtësi, ne këtë e dimë. E kemi pritur shumë keq se me të vërtetë e japim mundin deri në maksimum, punojmë jashtë normalitetit, të gjitha detyrat i kryejmë në nivel dhe me disa rroga mizërie kërkojmë diçka që na takon, nuk kërkojmë diçka jashtë ligjit. Si Sindikaliste flas në emrin tim nëse e kam shpinën e fortë unë do t’i kisha mbyll dyert dhe si kisha çelur derisa të arrij 18.4 %”, deklaroi Hatixhe Koxha, edukatore.
Nënkryetari i SAShK-ut Tafa Ameti demi sa i përket pagave në shkollat fillore dhe të mesme tha se do e marrin të plota, e sa i përket edukatorëve në çerdhe nuk dihet, por se po diskutohet për zgjedhje me Qeverinë. Ademi tha se po shqyrtohet mundësia edhe për kompensim të orëve.
“Për shkollat fillore dhe të mesme pagat veç kanë kaluar në ministri dhe këto ditë pritet që t’i marrin. Problemin e kemi me foshnjoret nga shkaku se as me Marrëveshjen Kolektive por as Ligji nuk parasheh që të paguhen mëditjet brenda qëndrimit në grevë, ky ishte edhe shkaku që ne ndërpremë grevën tek foshnjoret. Ka një kompromis ligjor ku brenda një muaji e gjysmë të kompensohen brenda ditës orët e humbura gjatë qëndrimit në grevë”, theksoi Tafa Ademi, nënkryetar i SAShK-ut.
Ndryshe nesër pas takimit me Ministrinë për Punë dhe Politikë sociale ku do të diskutohet për mëditjet në çerdhe , SAShK do të takohem edhe me Ministrinë e Arsimit nga ku presin se do të ketë marrëveshje dhe ngritje prej më shumë se 12 % të pagave në këtë sektor, sepse kalon edhe afati 20 ditorë i pezullimit të grevës. /TV 21/