Arsimtarët e ciklit të lartë në objektin e shkollës fillore “Sabedin Bajrami”, në fshatin Kamjan janë kundër që objekti shkollor ku mësojnë nxënësit e ciklit të ulët, që ndodhet në një vend tjetër të adaptohet për çerdhe dhe fëmijët të transferohen në objektin ku mësojnë nxënësit e ciklit të lartë. Sipas arsimtarëve dhe stafit të shkollës, transferimi i 300 nxënësve në objektin e shkollës ku mësojnë nxënësit e ciklit të lartë do të thotë mbyllje të shumë kabineteve, të cilët janë ndërtuar me shumë mund në të kaluarën. “Te shkolla e vjetër prishen 7 kabinete dhe këtu prishen 2 kabinete, ai i gjuhës angleze dhe ai i muzikës, sa që mësimi shkon shumë pas sepse nuk ka kushte më që të kemi kabinete adekuate. 300 nxënës prej shkollës së vjetër vijnë te shkolla këtu, deri sa çdo kund mundohet të bëhet shkolla në një ndërrim, këtu shkolla bëhet me dy ndërrime. Ata thonë se duan ta bëjnë çerdhe atë shkollën e vjetër, ka vende plotë ku mund të bëjnë çerdhe, jo të prishim shtëpi dhe të ndërtojmë kasolle, kjo kështu i bie. Krejt kolektivi e kundërshtojnë, jo vetëm ne, ne jemi munduar që të arrijmë në këtë nivel ku jemi sot, nxënësit e Kamjanit ose prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm se kthehen 20 vite pas”, tha pedagogu i shkollës, Azis Veseli.
Arsimtarët nuk janë kundër që të hapet çerdhe, por jo në objektin ku mësojnë nxënësit sepse edhe ai objekt është i adaptuar për nxënësit e ciklit të ulët, dhe ka kabinete adekuate.“Në këtë kabinet neve e zhvillojmë mësimin së pari online, ku ne zhvillojmë testimet online, i bëjmë në mënyrë klasike, notimin e bëjmë në mënyrë online, gjithashtu dhe lojëra të ndryshme. Çdo fëmijë ka kompjuterin e vetë kur vijnë këtu me ushtrime me mësime, në krahasim me shkollat e tjera, ne kemi arrit një nivel shumë të lartë, kurse këta duan të na kthejnë neve në mënyrë klasike të punës, që ne nuk jemi dakord assesi”, thotë profesoresha Dashmire Kadriu.
Në ndërkohë nga ana e Komunës së Bogovinës theksojnë se adaptimi i objektit shkollor për çerdhe është bërë për shkak se tashmë në atë objekt janë liruar hapësira, ngase në të kaluarën në atë objekt kanë edhe nxënës të fshatit Siniçan. Pas ndërtimit të shkollës në Siniçan, tashmë në këtë objekt ka hapësira të lira.“Objekti shkollor në fshatin Kamjan u lirua dhe i njëjti u propozua për adaptim dhe rekonstruim në çerdhe komunale. Arsye tjetër më se e rëndësishme është edhe ndërtimi dhe vënia në funksion e sallës shkollore sportive në objektin qendror të shkollës ‘Sabedin Bajrami’ në Kamjan dhe nga viti 2018 e këndej kemi kushte për organizimin e orëve të edukatës fizike për të gjithë grupmoshat e nxënësve të shkollës ‘Sabedin Bajrami”, thonë nga Komuna e Bogovinës.
Më tej ata thonë se prej sivjet, nxënësit që nga klasa e parë, fëmijët 6-vjeçarë obligohen të ndjekin orën e edukatës fizike. “Duke patur parasysh që objekti qendrorë i shkollës i plotëson të gjitha kërkesat për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimorë kërkuam nga drejtoria e shkollës të plotëson të gjitha kërkesat për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor, kërkuam nga drejtoria e shkollës që të bën riorganizimin e zhvillimit të procesit arsimor dhe mësimi të organizohet në dy turne, më qëllim që të gjithë nxënësit mund të organizojnë orët e edukatës fizike në kushte adekuate. Si rezultat i këtij veprimi, objekti i vjetër i shkollës ‘Sabedin Bajrami’ ngelet i lirë dhe për të njëjtin është përpiluar projekt kryesorë për adaptim për çerdhe qendrore komunale me kapacitet deri në 150 fëmijë. Adaptimi i këtij projekti kap vlerën prej 12 milionë denarëve, pra kemi të bëjmë me një investim kapital serioz, ku fëmijët tanë do të kenë kushte dukshëm më të mira nga që kanë deri tani, dhe me këtë investim do të rritet cilësia e mbarëvajtjes së kujdesit të fëmijëve gjatë periudhës së qëndrimit në çerdhe”, thonë nga Komuna e Bogovinës. (koha.mk)