Rreth 60 kompani të njohura kanë marrë pjesë në Panairin e Karrierës, që u mbajt sot (10 maj 2022), në Universitetin e Evropës Juglindore, në organizim të Qendrës së Karrierës.
Ngjarjen e shpalli të hapur, Rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili falënderojë pjesëmarrësit, në veçanti kompanitë për interesin e treguar dhe studentët për pjesëmarrje.
“Jeni ju arsyeja e këtij organizimi shumë të rëndësishëm, tradicional për ne, në fakt aktivitet që kërkon dhe mundëson, në gjuhën dhe fjalorin e ekonomisë, vendin ku takohet oferta dhe kërkesa e faktorit më të rëndësishëm në ekonomi, faktorit punë. “, tha rektori Bexheti.
Ai i porositi studentët dhe kompanitë t’i shfrytëzojnë këto mundësi, duke i parë interesat dhe afinitetet e përbashkëta, pasi çdo faktor i prodhimit tjetër nëse nuk shfrytëzohet sot, nesër nuk mund të kompensohet .
“Ne si Universitet, po bëjmë të pamundurën në këtë ambient. Kemi themeluar shumë qendra të tjera, jo më vetëm Qendra e Karrierës, që ndihmojnë studentët në gjetjen e punës, por edhe Qendrën e Shkathtësive të së Ardhmes (Future Skills Centre), që trajnon tre profile shumë specifike, duke filluar nga ndërtimtaria me kushte të efiçiencës energjetike, bujqësia primare dhe ekologjike, ushqimi primar dhe i shëndetshëm dhe prodhimtaria – industria e tekstilit dhe lëkurës, si dhe Qendrën iCan, që trajnon profile nga shkollat e mesme dhe që funksion në qytetin e Gostivarit. “, tha mes tjerash rektori Bexheti.
Në hapjen e Panairit të Karrierës, mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili premtoi punësimin e tre studentëve më të mirë, që do të diplomojnë në drejtimet Arkitekturë, Drejtësi dhe Biznes e Ekonomi.
“Është kënaqësi e veçantë të jem në mesin tuaj, këtu, ku ne bashkë e ndërtojmë të ardhmen tonë dhe për këtë modeli më i mirë është UEJL. Kjo ngjarje dëshmon edhe njëherë se UEJL-ja është njëri ndër modelet e suksesit, të cilin ne duhet ta përcjellim për integrim të plotë drejt BE-së”, tha kryetari Kasami.
Panairi i Karrierës mbahet për të 15-tën herë në UEJL dhe paraqet një mundësi të mirë për studentët për të u takuar me punëdhënës potencial, ku diskutojnë rreth mundësisë për të u punësuar, për t‘u angazhuar si praktikant dhe për të diskutuar rreth përshtatshmërisë së kualifikimeve dhe aftësive të tyre me kërkesat e tregut të punës apo kompanisë në fjalë.