Ora 7 e gjysmë e mëngjesit. Nxënësit e shkollës fillore “Njegosh” në Jurumleri bëhen resht për të filluar orën e parë të mësimit në vitin e ri shkollor. Dukeshin shumë të lumtur.
Të lumtur megjithatë nuk ishin 13 nxënësit shqiptarë të cilët kishin mbaruar klasën e pestë e tani duhet të vazhdojnë në klasë të gjashtë. Në këtë shkollë nga klasa e gjashtë deri në të nëntën nuk ka paralele shqipe! Duhet të vazhdojnë në maqedonisht, ose-ose të udhëtojnë në vendbanime tjera.
-Duhet të udhëtoj në Shkup, te shkolla “Kongresi i Manastirit”. Nuk na lejojnë këtu të hapim paralele shqipe. Prej klasën e gjashtë deri të nëntën.
-Sa do jetë e vështirë për ty të udhëtosh deri te “Kongresi i Manastirit”?
-Unë jam ende i vogël, i kam 11 vjet, duhet të udhëtoj me autobus 40 minuta, është larg.
-Cila klasë je?
-Tani dal e gjashta.
-Do vazhdosh të mësosh te kjo shkollë?
-Jo.
-Pse?
-Sepse nuk e hapin paralelen shqipe.
-T’i dëshiron të mësosh shqip?
-Po.
-Rona, tregom cila klasë je tani?
-Klasa e gjashtë.
-Ku mëson, te kjo shkolla këtu?
-Në “Njegosh”.
-Në “Njegosh” ke mësuar deri tash, e që sot e andej?
-Më andej nuk e di.
-Pse nuk po mundesh këtu të vijosh mësimin?
-Sepse këtu në klasën e gjashtë është maqedonisht.
Kjo për prindërit është tejet e vështirë sepse fëmijët i konsiderojnë ende të vegjël për të udhëtuar me kilometra larg shtëpisë së tyre. Ata organizuan protestë paqësore para shkollës.
“Për mua ashtu si prindët e tjerë, është shumë e vështirë një vajzë 11 vjeçare ta lëshoj vet prej këtu, në Idrizovë deri në Shkup të udhëtojë me autobus. Unë si prind kërkoj që vajza ime dhe fëmijët e tjerë të jenë këtu në shkollën e vet, sa më afër, që edhe ne si prindër të jemi më rehat që t’i kemi afër, dhe s’mund t’i ngacmojë askush”, thotë një prinde.
“Deri në klasën e pestë ka mësuar në gjuhën shqipe, tash me vazhdu maqedonisht… Deri tani ka qenë shkëlqyeshëm, nuk mundet prap të vazhdojë shkëlqyeshëm. Edhe pse mos të jetë e drejta jonë, për çfarë arsye nuk na e japin? Si mendon shteti i Maqedonisë të hyjë në Europë e ende ka problem arsimimi. Çka do të thotë sot t’ua humbësh fëmijëve, një ditë kushton shumë. Për arsim po flasim! E Maqedonia dëshiron të hyjë në Evropë!”, deklaron prindi.
Organizatori i protestës, njëherit prind i një nxënësi që vijon mësimin në këtë shkollë, Rizvan Seferi, thotë se bashkëqytetarët e tyre maqedonas që jetojnë në Kolonia, Jurumleri dhe Skopsko Pole, bëjnë presion që gjuha shqipe mos të mësohet.
“Edhe nga ana e komunës bëjnë presion kinse nuk ka kushte. Inspektorati është dërguar nga ministria, janë marë të gjitha masat, në këtë shkollë mund të bëhet paralele sepse janë kushtet. Nuk na duan të mësojmë në shkollë, na pengojnë. Ne ju kemi thënë ju mësoni ditën, ne do të mësojmë ndrimin e dytë. As ashtu nuk duan, as kështu. Nuk kemi rrugëdalje! 40 kilometra fëmijë prej 10 vjeç nuk mund të udhëtojnë”, tha Rizvan Seferi, organizator i protestës.
Nga Idrizova shkuam te kryetari i komunës së GaziBabës, Boban Stefkovski. E pyetëm ku qëndron problemi dhe pse nuk lejohet hapja e paraleles shqipe? Arsyetimi është se shkolla nuk i plotëson kushtet ndërsa si komunë deri te Ministria e Transportit kanë dërguar iniciativë për përpilim të planit urbanistik, me qëllim ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë, ku do të mund të mësonin nxënës edhe në gjuhën shqipe edhe në atë maqedonase.
“Mbajta mbledhje në bashkësinë lokale ku u dakorduam edhe maqedonasit edhe shqiptarët, të gjithë banorët që banojnë në Idrizovë, të kërkojmë zgjidhje afatgjate, gjegjësisht ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë. Për këtë qëllim, unë kam dorëzuar kërkesë deri te Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Deri te Ministria për Transport dhe Lidhje dhe Ministria e Arsimit, ku theksoj lokacion konkret dhe kërkoj të përfshihet në programin për Transport dhe Lidhje për përpilimin e dokumentacionit planor për ndërtimin e shkollës së re. Kapaciteti në shkollën fillore “Njegosh” është i plotë dhe nuk ka asnjë hapësirë të lirë që të mund të ndiqet mësimi”, tha Boban Stefkovski, kryetar i komunës së Gazibabës.
Përndryshe shkollën e re në Idrizovë e pati premtuar edhe ish-kryeministri Zoran Zaev. Më pas më 28 shtator 2019, Artan Grubi, Muhamed Zeqiri, Arbër Ademi dhe Boris Georgievski si kryetar komune, ishin për vizitë në këtë vendbanim duke u premtuar banorëve ndërtimin e shkollës së re por nga ato premtime, mbetën vetëm duartrokitjet. /TV21