Në vitin 2012 në shkollën e fshatit Dobrevë afër Probishtipit kanë mësuar gjithsej 11 nxënës. Gradualisht, numri i fëmijëve u zvogëlua në tetë, derisa në shkollë mbeti vetëm një fëmijë, kështu që sot karriget e shkollës janë plotësisht të zbrazura, ndërsa shkollës i është vënë çelësi. Shkolla në Dobrevë nuk është e vetmja në vend ku realiteti është i tillë. Për shkak se nuk ka fëmijë, pra për shkak të natalitetit të ulët dhe emigrimit, dhjetëra shkolla në mbarë vendin janë mbyllur, diçka që është veçanërisht e dukshme në Maqedoninë Lindore, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Nëse në vitin akademik 2011/2012 në Maqedoninë e Veriut kishte 986 shkolla, për dhjetë vjet ky numër u zvogëlua në 973. Kjo do të thotë se në një dekadë janë mbyllur 13 shkolla, pa llogaritur shkollat rajonale në zonat rurale, sepse Enti Shtetëror i Statistikave (EShS) numëron shkollat që janë qendrore/amë.
Statistikat tregojnë se ne kemi gjithnjë e më pak nxënës në vend. Por numri i mësuesve që bëhen pjesë e sistemit arsimor është në rritje.
Reformat punësuan më shumë mësues
Transformimet e ndryshme në arsimin fillor dhe të mesëm, gjegjësisht kurrikula e re, përmbajtja dhe pasurimi i tyre, imponuan uljen e numrit të nxënësve në një klasë. Siç shpjegon për Meta.mk demografi dhe analisti Donço Gerasimovski ajo përshtatje me standardet evropiane ka vendosur rregull që të zvogëlohet numri i nxënësve në një klasë, prandaj statistikisht është rritur numri i paraleleve në vend.
“Numri i nxënësve në klasë zvogëlohet, çka nënkupton automatikisht rritje të numrit të klasave. E nëse rritet numri i paraleleve rritet edhe numri i mësimdhënësve”, thotë Gerasimovski.
Nuk ka fëmijë sepse nataliteti është i ulët
Sipas Gerasimovskit, numri i nxënësve po zvogëlohet nga viti në vit për shkak se nataliteti në përgjithësi në vend po zvogëlohet.
“Kjo është më e dukshme veçanërisht në disa rajone. Nga ana tjetër, nuk kemi të dhëna për numrin e saktë të shkollave rajonale që ekzistojnë në kuadër të shkollave fillore. Fshatrat kanë shkolla të mbështetura, por nuk dihet numri i tyre, ndaj nuk dimë sa rrethe janë mbyllur. Numri i nxënësve dhe shkollave po zvogëlohet për një periudhë të gjatë kohore dhe një rol të madh luan emigracioni”, shton Gerasimovski.
Sa i përket arsimit të mesëm, vërehet se nuk ka rënie të vazhdueshme të numrit të nxënësve, siç është rasti me nxënësit e shkollave fillore. Nëse numri i gjimnazistëve para pesë viteve ishte 71.458, vitin e kaluar kemi pasur 71.018 gjimnazistë, pra 440 nxënës më pak. Numri i profesorëve në shkolla, ndërkaq, në një periudhë pesëvjeçare ka rënë për 287 profesorë.
Së fundmi Meta bëri të ditur se rritja negative natyrore në vendin tonë ka nisur në vitin 2019, pra që prej atëherë vdekshmëria ka qenë më e lartë se nataliteti për herë të parë. Pandemia e Covid-it, emigracioni, plakja e popullsisë janë disa nga arsyet që ndikojnë në rritjen negative të popullsisë.
Ky është gjithashtu një trend rajonal që ndodh në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nëse analizohen tendencat demografike në vendet e rajonit, do të vërehet se kudo trendi është negativ. Në Bullgari, Kroaci, Serbi ka gjithashtu një rritje natyrore negative të popullsisë.