Mungon uji dhe rryma, ende nuk ka nisur mësimi në shkollën e Vizbegut! Shaqiri: Komuna kërkon pikë politike në emërimin e drejtorit

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri sot fajësoi komunën dhe mbikëqyrësit ndërtues për mos-funksionimin e shkollës së sapondërtuar fillore në Vizbeg të Shkupit, shkruan TV21. Shaqiri tha se për momentin shkollës i mungon furnizimi me ujë dhe rrymë elektrike, edhe pse sipas tij, energji elektrike ka mjaftueshëm sa për 5 klasë, pasi shkolla nuk do të lëshohet me kapacitet të plotë.

“Dy kushte mbikëqyrësi po i shqyrton në këtë moment, është furnizimi me rrymë elektrike, që për mua justifikimet e mbikëqyrësit dhe të komunës nuk mbajnë sepse shkolla nuk do të lëshohet me kapacitet të plotë, për arsye se shkolla do të ketë fillimisht 5 klasë dhe dy zyra të tjera të cilat janë mjaftueshëm edhe për rrymën elektrike ekzistuese. Arsyeja e dytë, kërkesën të cilën e kemi dorëzuar deri tek ndërmarrja për furnizim me ujë të asaj komune, po presim që ta bëjnë furnizimin, edhe pse lidhje ka”, theksoi Shaqiri.

I pyetur se kur saktësisht do të nis me punë kjo shkollë, ministri Shaqiri tha se do të bëjë presion vazhdimisht edhe deri tek komuna, që sa më parë të nis mësimi në këtë shkollë.

“Nuk varen më kushtet dhe afatet nga MASH, duhet mirëkuptim nga ana e komunës për mos të bërë poenë politik në emërimin dhe caktimin e drejtorit të asaj shkolle. Të caktojë Këshillin e prindërve, të emërojë dhe të fillojë drejtori të bëjë kërkesat për mësimdhënësit dhe për stafin”, tha Shaqiri./tv21.tv